3 operacione policore janë finalizuar në Lushnjë dhe Divjakë, ku u arrestuan 3 shtetas për vepra të ndryshme penale.

Sipas njoftimit të policisë gjatë operacionit të koduar “Holder”, që u zhvillua nga Sektori i Narkotikëve të DVP Fier u arrestua shtetasi K. K., 48 vjeç, banues në Lushnjë, i dyshuar për shitje të lëndëve narkotike, në doza. Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhjetëra doza të lëndës së dyshuar narkotike Kokainë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe celularin e këtij shtetasi.

Ndërkohë gjatë operacionit të koduar “Coins”, që u zhvillua gjithashtu nga Komisariati i Policisë Lushnjë, u arrestua shtetasi E. Sh., 52 vjeç, banues në Lushnjë, për veprat penale “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”. Gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 32 monedha antike, të dyshuara të trafikuara, dhe 2 armë gjahu, të cilat i posedonte pa leje.

Gjithashtu gjatë operacionit të koduar “Gjurmët”, që u zhvillua nga Komisariati i Policisë Divjakë, u arrestua shtetasi A. P., 23 vjeç, banues në Divjakë. Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, më datë 18.11.2026, ka vjedhur një shumë parash në një dyqan në fshatin Fier-Seman, ndërsa më datë 26.07.2026, ka vjedhur një shumë parash në një kabinë plazhi në Divjakë.

Materialet procedurale për këto raste iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *