Pas qëndrimin ulur për një kohë të gjatë edhe ushqimeve të shumta gjatë sezonit të festave, Viti i Ri ofron një shans për të bërë ushtrime fizike shumë të nevojshme për trupin. Një vrapim i shkurtër në natyrë padyshim që do të sillte disa përfitime. Hulumtuesit thonë se vazhdimi i ushtrimeve fizike të moderuara është i mirë për shëndetin në përgjithësi.
“Ke më shumë përfitime nëse zëvendëson dhjetë minuta ulur me dhjetë minuta qëndrim në këmbë. Të gjitha hulumtimet tregojnë se sa i dëmshëm është qëndrimi ulur ose shtrirë. Pra, që nga shikimi i televizionit, udhëtimet, shtrirja në divan apo përqendrimi në telefon”, thotë Dr. Jo Blodgett.
Shkencëtarët në Institutin e Sportit, Fizkulturës dhe Shëndetit pranë Kolegjit Universitar të Londrës zhvilluan hulumtime se si lëvizshmëria dhe modelet e ndryshme të ushtrimeve gjatë 24 orëve janë të lidhura me shëndetin e zemrës. Ata përpunuan të dhëna nga 15,000 individë nga vende të ndryshme të botës, përfshirë Britaninë e Madhe Australinë, Finlandën, Danimarkën dhe Holandën. Ata hulumtuan se sa kohë shpenzonin ulur, në këmbë, në gjumë dhe duke bërë ushtrime fizike të kalibrit të lartë.
Në bazë të hulumtimeve ata renditën aktivitetet e ndryshme, duke filluar nga ushtrimet që rritën rrahjet e zemrës dhe ushtrimet e lehta fizike. Më pas u përqendruan tek energjia e harxhuar nga qëndrimi në këmbë, duke fjetur apo qëndruar ulur.
Studimi i publikuar në Gazetën Evropiane të Zemrës gjeti se pesë minuta ushtrime fizike të moderuara që nuk kalonin cakun e fizkulturës së vrullshme kishin një efekt pozitiv në shëndetin e zemrës në krahasim me qëndrimin ulur.
Hulumtimi u financua nga Fondacioni Britanik i Zemrës. Një ecje prej 20 minutash në ditë është e këshillueshme nga shumica e organizatave të shëndetit publik.
Një mënyrë e shëndetshme për të nisur Vitin e Ri.
