Ka nisur sot në Lushnjë edicioni i 18-të i Kampionatit të Volejbollit për Vajza, një aktivitet sportiv që përfshin nxënëset e shkollave 9-vjeçare të Bashkisë Lushnjë. Në këtë garë marrin pjesë 16 shkolla si “Kongresi i Lushnjës”, “Gafurr Muço”, “Dhimitër Mino”, “Nënshkruesi i Pavarësisë Nebi Sefa”, “Iliria”, “Skënder Libohova” si dhe shkolla të tjera të bashkisë.

Ndeshjet po zhvillohen në palestrën pranë shkollës “Foto Puka”, ku ekipet po përballen me njëra-tjetrën në fazën e parë të kampionatit.

Në katër takimet e para të zhvilluara gjatë ditës së sotme shkolla “Kongresi i Lushnjës” ka fituar me rezultatin 2-0 ndaj “Gafurr Muços”, gjithashtu me të njëjtin rezultat “Shmb Kolonjë” ka fituar ndaj “Dhimitër Minos”. Ndërkohë, “Iliria” ka triumfuar 2-0 ndaj “10 Korrikut”.

Në ndeshjen e katërt shkolla “Skënder Libohova” ka fituar 2-0 përballë shkollës “Nënshkruesi i Pavarësisë Nebi Sefa”.

Kampionati synon të nxisë aktivitetin fizik, frymën e garës dhe bashkëpunimin mes nxënëseve duke u dhënë mundësi vajzave të shfaqin aftësitë e tyre sportive.

Aktiviteti do të vijojë me fazën e dytë që është parashikuar të zhvillohet më 11 nëntor, ndërsa më 12 nëntor do të luhen gjysmëfinalet, ku do të përcaktohen skuadrat që do të synojnë trofeun e këtij edicioni.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *