Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka vlerësuar të ligjshëm arrestimin e një të mituri gjatë protestave antiqeveritare, duke caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
Sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, i mituri me inicialet A. B. është arrestuar në flagrancë më 20 tetor 2026, në orën 23:30, ndërsa dyshohet për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Shkatërrimi i pronës”.
Gjykata ka vendosur që i mituri të paraqitet pranë policisë gjyqësore të hënën e parë të çdo muaji, në orën 10:00, ndërsa ka urdhëruar lirimin e tij të menjëhershëm nga paraburgimi, nëse nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër ligjor.
Në njoftimin e saj, gjykata sqaron se seancat gjyqësore me të miturit e arrestuar janë zhvilluar në praninë e prindërve dhe psikologëve, në përputhje me garancitë procedurale për mbrojtjen e të drejtave të tyre.
I mituri A. B. është mbrojtur në seancë nga avokatët Henri Bici dhe Adriana Kalaja.
Vendimi parashikon gjithashtu të drejtën e ankimit në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë brenda pesë ditëve, duke nisur nga dita pas njoftimit të tij.
Vendimi vjen në kuadër të shqyrtimit të masave të sigurisë ndaj personave të arrestuar gjatë protestave të fundit në kryeqytet, ku studentë, pedagogë dhe qytetarë kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
