Shoqata e Bashkimit Bujqësor “Lushnja Olive Oil Union” e cila përfaqëson 16 ndërmarrje të prodhimit të vajit të ullirit në Lushnjë ka çelur sezonin e ri të prodhimit në Kolonjë. Në një aktivitet të organizuar nga Bashkia Lushnjë dhe ndërmarrjet e përpunimit të vajit të ullirit u vu në pah rëndësia e bashkëpunimit për përballimin e problematikave të tregut, veçanërisht në shitjen dhe promovimin e vajit të ullirit. Administratori i shoqatës Alvin Gjata bëri të ditur se bashkimi synon të mbështesë fermerët përmes projekteve të ndryshme, ndërsa falënderoi bashkinë për asistencën ligjore dhe mbështetjen e ofruar. Ai njoftoi gjithashtu se për vitin e ardhshëm është premtuar ngritja e një laboratori për kontrollin e cilësisë së vajit të ullirit në zonën e Lushnjës.
Kryetarja e Bashkisë Lushnjë Eriselda Sefa u bëri thirrje bizneseve dhe qytetarëve që të zgjedhin vajin e ullirit të prodhuar në zonën e Lushnjës. Ajo vlerësoi cilësinë e produktit vendas dhe konkurrueshmërinë e tij në treg duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së prodhuesve dhe promovimit të produkteve lokale.
