Protestat e studentëve dhe gjimnazistëve të cilat prej ditësh kanë përfshirë kryeqytetin janë shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit. Këtë të enjte në lëvizjen protestuese janë përfshirë edhe të rinjtë e Lushnjës të cilët kanë dalë në rrugë duke iu bashkuar thirrjeve për protesta kundër qeverisë.

Protesta nisi me nxënësit e shkollës së mesme mekanike, të cilët bojkotuan mësimin dhe dolën në rrugë, duke u bërë thirrje edhe bashkëmoshatarëve të shkollave të tjera që t’i bashkoheshin tubimit.

Thirrjes iu përgjigjën gjimnazistë nga shkollat “18 Tetori”, “Jani Nushi” dhe “Vath Korreshi”. Të rinjtë lanë bankat e shkollës dhe marshuan në rrugët e qytetit, duke zgjeruar pjesëmarrjen në protestën e zhvilluar në Lushnjë.

Fillimisht, tubimi u zhvillua në mënyrë paqësore, por situata u tensionua më vonë, kur një pjesë e protestuesve dëmtuan kosha mbeturinash dhe mbrojtëse metalike, si dhe bllokuan disa rrugë të qytetit, duke penguar përkohësisht qarkullimin.

Në protestë morën pjesë edhe përfaqësues të Partisë Demokratike dega Lushnjë të cilët u përfshinë në përplasje me policinë.

Ndërkohë Lushnja nuk është qyteti i vetëm ku të rinjtë kanë dalë në protestë. Tubime janë zhvilluar edhe në Elbasan, Korçë, Shkodër dhe Durrës, ku gjimnazistë dhe studentë i janë bashkuar lëvizjes protestuese.

Përfshirja e qyteteve të tjera shënon zgjerimin e protestave përtej kryeqytetit, ndërsa të rinjtë vijojnë të shprehin pakënaqësitë e tyre përmes tubimeve dhe bojkotimit të mësimit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds