Nëse një konsumator do të blinte sot 10 produkte të shportës ushqimore, përfshirë: 1 kg miell, 1 kg oriz, 1 pako makarona, 1 litër vaj luledielli, 1 kg sheqer, 1 litër qumësht, 1 kg kos, 1 pako gjalpë, vezë dhe 1 pulë,  si vlerë më të ulët do të shpenzojë atë prej 1,412 lekë.

Sipas përllogaritjeve të platformës “Pasqyra e Çmimeve” dhe rubrikës “Kurse” kjo vlerë shpenzimesh për këto mallra të shportës ushqimore rezulton për rrjetin e supermarketeve “Spar”.

Vlera më e lartë për të njëjtat produkte të shportës ushqimore llogaritet prej 2,225 lekë. Platforma këtë vlerë e liston si për supermarketin Conad, nga 5 supermarkete në total që kanë publikuar çmimet.

Sipas përllogaritjeve, diferenca mes shportës më të shtrenjtë dhe më të lirë është 813 lekë apo rreth 58%.

Sa i përket shportave të pjesshme, ku nga 10 artikujt e kërkuar platforma arrin të llogarisë çmimet për 9 prej tyre, në rrjetin e supermarketeve Xhangolli qytetari do të paguante 1,221 lekë.

Në rrjetin Big Market, vlera e 9 artikujve arrin në 1,266 lekë, ndërsa në Extramarket qytetari do të paguante 1,519 lekë për të njëjtin numër artikujsh. Diferenca mes shportës së pjesshme më të lirë dhe asaj më të shtrenjtë është 298 lekë apo rreth 24% më shumë.

Sipas sqarimit të platformës “Pasqyra e çmimeve”, çmimi për çdo kategori përcaktohet mbi bazën e një sasie reference (p.sh. 1 kg kos, 200 g gjalpë), duke paraqitur çmimin më të ulët të raportuar nga tregtari. Krahasimi mbështetet në produktet, pikat e shitjes dhe çmimet e vlefshme të publikuara në platformën “Pasqyra e Çmimeve” sipas datës dhe orës së përcaktuar. Çmimet mund të ndryshojnë në varësi të pikës së shitjes dhe kohës së blerjes.

Në platformë janë pasqyruar çmimet e 238 produkteve në pesë rrjete supermarketesh: Big Market, Conad, Extramarket, Spar dhe Xhangolli, për një total prej 155 dyqanesh, nga të cilat 109 ndodhen në Tiranë.

Produktet janë ndarë në disa kategori, si ushqimet bazë, mishi dhe vezët, bulmeti, pula, produktet e mishit dhe nënproduktet e tij, frutat e perimet etj. Platforma u mundëson përdoruesve të renditin çmimet nga më i ulëti te më i larti, të shohin qytetin dhe dyqanin ku ofrohet produkti, si dhe të llogarisin kursimin në lekë krahasuar me çmimin fillestar.

Sa ndryshon produktet e shportës për secilin tregtar

Nëse marrim me radhë çmimet për secilin produkt, vihet re se diferencat mes vlerës minimale dhe asaj maksimale janë të konsiderueshme.

Diferenca më e lartë e çmimeve është për shitjen e orizit, sheqerit, makaronave, dhe te kosi i importit.

Konkretisht, çmimi për 1 kilogram miell gruri varion nga 70 lekë deri në 219 lekë. Diferenca mes çmimit më të ulët dhe atij më të lartë arrin me rreth 213%.

Për 1 kilogram oriz, çmimet nisin nga 75 lekë dhe arrijnë deri në 419 lekë, me një diferencë prej 459 %.

Edhe te sheqeri vihet re një diferencë e konsiderueshme. Çmimi për kilogram varion nga 65 lekë deri në 299 lekë, në një diferencë prej 360%.

Për makaronat në paketim 500 gram, çmimet nisin nga 118 lekë dhe arrijnë deri në 358 lekë. Diferenca mes dy intervaleve të çmimeve është 203%.

Ndërsa vaji i lulediellit, për një litër, kushton nga 170 lekë deri në 490 lekë, me një diferencë prej 188%.

Produktet e bulmetit, përfshirë qumështin dhe kosin, kanë një larmi të madhe paketimesh dhe markash, si vendase ashtu edhe të importit.

Për qumështin vendas në paketim 1 litër, çmimi nis nga 149 lekë dhe arrin deri në 180 lekë. Diferenca mes çmimit minimal dhe atij maksimal është 21%.

Ndërsa për qumështin e importit, çmimet variojnë nga 119 lekë deri në 489 lekë për litër. Në këtë kategori, diferenca arrin në rreth 311%.

Edhe çmimi i kosit për kilogram shfaq një hendek të madh, duke nisur nga 155 lekë dhe arritur deri në 519 lekë. Diferenca mes çmimit më të ulët dhe atij më të lartë është rreth 235%.

Për prodhimin vendas çmimet luhaten nga 155 lekë deri 289 lekë për 1 kg. Diferenca e çmimeve për produktin vendas arrin 86%.

Për prodhimi importi çmimi i kosit luhatet nga 399 deri në 519 lekë për kg. Diferenca është 30%.

Për gjalpin në paketim 200 gramë, çmimet variojnë nga 219 lekë deri në 629 lekë, me një diferencë prej 187%. Ndërsa për paketimin 250 gramë, çmimet nisin nga 224 lekë dhe arrijnë deri në 376 lekë, me një diferencë prej 68%.

Për vezët e paketuara të masës M, çmimet luhaten nga 189 lekë deri në 499 lekë. Diferenca mes çmimit minimal dhe atij maksimal është 164%.

Ndërsa një pulë e plotë e freskët kushton nga 399 lekë deri në 1,050 lekë, me një diferencë prej 163.2%.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds