Një aksident rrugor është regjistruar mëngjesin e sotëm në rrethrrotullimin e Plasmasit, në qytetin e Lushnjës, ku një automjet tip “Benz” është përplasur me një motoçikletë, duke lënë të plagosur drejtuesin e këtij të fundit.
Sipas informacioneve paraprake, përplasja ka ndodhur në pjesën e brendshme të rrethrrotullimit, ku dyshohet se automjeti e ka goditur motoçikletën nga pas, duke bërë që drejtuesi të humbasë ekuilibrin, të rrëzohet në asfalt dhe të pësojë dëmtime.
Pas aksidentit, i plagosuri është transportuar në Spitalin e Lushnjës, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa deri më tani nuk ka informacion zyrtar mbi gjendjen e tij shëndetësore.
Në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e Policisë, të cilët kanë kryer veprimet e para hetimore dhe po mbledhin të dhëna për të sqaruar rrethanat e përplasjes. Ndërkohë, drejtuesi i automjetit është marrë në pyetje nga efektivët e policisë.
Grupi hetimor po vijon punën për dokumentimin e plotë të aksidentit, ndërsa pritet të përcaktohen shkaqet e sakta të përplasjes dhe përgjegjësitë e drejtuesve të mjeteve.
