Policia Rrugore në Fier ka intensifikuar kontrollet me pajisje inteligjente në akset kryesore, pikat hyrëse-dalëse dhe rrugët urbane e interurbane, me objektiv parandalimin e aksidenteve rrugore dhe menaxhimin e trafikut.
Gjatë kësaj jave janë proceduar penalisht 8 shtetas për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor. Dy prej tyre janë arrestuar për drejtim të automjetit në gjendje të dehur, ndërsa 5 të tjerë janë proceduar për drejtim pa leje drejtimi. Një tjetër është proceduar për shkelje të rregullave të qarkullimit, me pasojë aksidentin.
Kontrollet kanë sjellë edhe vendosjen e 909 masave administrative për tejkalim të shpejtësisë, 50 për parakalim të gabuar, 41 për mospërdorim të rripit të sigurimit dhe 3 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit. Janë vendosur gjithashtu 7 masa për drejtim nën efektin e alkoolit dhe 119 për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit.
Ndërkohë, vijojnë kontrollet edhe për mjetet që transportojnë nxënës, ndërsa Policia Rrugore apelon drejtuesit e automjeteve të respektojnë rregullat, për të garantuar sigurinë dhe për të parandaluar aksidentet rrugore.
