Qendra Multifunksionale “Horizont” pranë Bashkisë Fier ka nisur projektin “2 Orë për Veten – 2 Orë për Ne”, një nismë që synon të krijojë më shumë hapësira për informim, komunikim dhe mbështetje për nënat, fëmijët dhe familjet.
Projekti ka lindur nga nevojat e evidentuara përmes komunikimit me nënat, specialistët dhe institucionet. Sipas organizatorëve, familjet përballen shpesh me pyetje dhe problematika konkrete, ndërsa specialistët dhe institucionet disponojnë njohuritë, shërbimet dhe mundësitë e mbështetjes.
Sipas Drejtorit Enri Lulaj, përmes kësaj nisme synohet krijimi i një ure bashkëpunimi, ku familja pyet, profesionisti përgjigjet dhe institucioni informon, duke e sjellë informacionin dhe shërbimet më pranë qytetarëve.
Ndērkohē koordinatorja Matilda Haska pohon se në kuadër të projektit parashikohet bashkëpunimi me Bashkinë Fier, strukturat shëndetësore dhe NJVKSH Fier, QSUT, Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Ndihmën Juridike Falas, Shërbimin Social, strukturat e Punësimit dhe Formimit Profesional, si dhe me profesionistë të shëndetit mendor dhe partnerë të tjerë.
Qendra Multifunksionale “Horizont” ka bërë gjithashtu një thirrje për bashkëpunim ndaj institucioneve, profesionistëve, organizatave, bizneseve dhe individëve që kanë një shërbim, mundësi, ide apo kontribut që mund t’u shërbejë familjeve.
Projekti “2 Orë për Veten – 2 Orë për Ne” do të zhvillohet në periudhën tetor 2026 – maj 2027, me fokus te nëna, fëmija dhe familja.
