Interesi i fëmijëve dhe të rinjve për të vizituar Muzeun Historik të Lushnjës është rritur vitet e fundit. Të shoqëruar nga prindërit ose mësuesit, ata e shohin muzeun si një mundësi për ta prekur nga afër historinë që mësojnë në bankat e shkollës, tha Përgjegjësi i Muzeut Doktor Niko Ferro.

Gjatë vizitave, fëmijët njihen me objektet e ekspozuara, por ajo që bie në sy është kureshtja e tyre për zbulimet e reja arkeologjike në zonën e Lushnjës.

Ferro thotë se njohuritë e marra në shkollë po i afrojë më shumë nxënësit me muzeun, duke krijuar një lidhje të drejtpërdrejtë mes programit mësimor, historisë dhe zbulimeve që ruhen e ekspozohen në muze.

Në këtë drejtim, ai sugjeron edhe zhvillimin e aktiviteteve praktike, si “Dita e Arkeologut”, për t’u dhënë të rinjve mundësinë të njihen nga afër me historinë dhe trashëgiminë e zonës.

Një shembull i lidhjes mes kureshtjes së nxënësve dhe zbulimeve arkeologjike është rasti i një banese antike në Murriz-Peqin e cila u evidentua pas njoftimit të një nxënësi për disa copëza qeramike të gjetura në zonë.

Përveç muzeut edhe platformat informuese po përdoren për t’i afruar të rinjtë me historinë e qytetit. Bashkia ka vendosur në dispozicion faqen “Lushnja Explore”, ku fëmijët dhe të rinjtë mund të gjejnë informacion për qytetin, monumentet dhe historinë e tij.

Ferro sugjeron gjithashtu rikthimin e librit të vendlindjes për nxënësit, si një mënyrë për t’i njohur ata me historinë, figurat dhe trashëgiminë e vendit ku jetojnë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds