Komisioni i ngarkuar nga Këshilli bashkiak i Divjakës për të përgatitur relacionin kundër shkrirjes së bashkisë Divjakë, pas një muaji punë dhe argumentave ka dalë në terren për të tërhequr qytetarët në dëgjesa publike. Dëgjesa e parë është organizuar në Divjakë.
Takimi fillimisht ka qenë me tone të ashpra, pasi disa nga pjesëmarrësit kanë kërkuar që të kishte prezencë të deputetes së zonës dhe përfaqësues nga hartuesit e reformës territoriale.
Kryetari i bashkisë Divjakë Josif Gorrea ka informuar pjesëmarrësit me relacionin e përgatitur nga komisioni, i cili do të paraqitet në kuvend për të kundërshtuar projektin e territoriale për shkrirjen e bashkisë Divjakë me Lushnjën. Ndër të tjera, Gorrea ka renditur faktet të cilat janë një armë e fortë që Kuvendi të mos miratojë shkrirjen e bashkisë Divjakë.
Edhe Nënkryetari i Këshillit bashkiak, përfaqësues i opozitës Eugen Verdho, u shpreh se opinionet e qytetarëve do të gjejnë vend në materialin e komisionit për të mbrojtur pozitat e Divjakës si bashki.
Pjesëmarrësit me mendimet dhe argumentet e tyre u shprehën kundër shkrirjes së bashkisë Divjakë duke bërë dhe thirrje që në protestën që mbahet prej 45 ditësh të jetë e pranishme për t’i mbështetur edhe administrata, fermerët dhe bizneset.
Dëgjesat do të vazhdojnë edhe në njësitë administrative ditët e ardhshme.
