Në Lushnjë, ku fermerët po përgatiten për sezonin e ri bujqësor, nevoja për financim shtohet. Farërat, fidanët, plehrat, nafta, mekanika dhe përgatitja e tokës kërkojnë shpenzime të konsiderueshme, ndërsa fermerët thonë se pa kapital të mjaftueshëm është e vështirë të garantohet prodhimi.
Sipas tyre, kostot e larta të inputeve bujqësore dhe pasiguria për çmimin me të cilin do të shitet prodhimi i bëjnë kreditë një mundësi të rëndësishme, por edhe një detyrim që jo të gjithë mund ta përballojnë lehtësisht.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2026, bankat kanë dhënë 1.38 miliardë lekë kredi për bujqësinë, 23% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Megjithatë, kreditimi i bujqësisë mbetet ende i ulët. Vetëm 0.8% e kredisë së re për bizneset i është drejtuar këtij sektori.
Në Lushnjë, fermerët kërkojnë që financimi të jetë më i aksesueshëm dhe kushtet e kredive t’u përshtaten nevojave të bujqësisë, veçanërisht në periudhat kur duhet të investojnë për mbjelljet dhe prodhimin e ri.
Një tjetër problem mbetet sigurimi i kolateralit. Shumë ferma janë të vogla dhe të fragmentizuara, ndërsa bankat e konsiderojnë bujqësinë sektor me risk të lartë.
Skemat e garancisë sovrane dhe programet e financimit me interesa të ulëta synojnë të lehtësojnë aksesin në kredi. Por për fermerët e Lushnjës, rëndësi ka që këto skema të kthehen në financim konkret dhe në kohën e duhur, për të përballuar kostot e sezonit dhe për të vijuar prodhimin.
