Kriza e pagave në sistemin e drejtësisë ka sjellë përplasje mes opozitës dhe mazhorancës në Konferencën e Kryetarëve.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka akuzuar Kuvendin se nuk po zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ka deklaruar se mazhoranca e ka respektuar vendimin dhe se përcaktimi i pagave është kompetencë e Parlamentit.

Sipas burimeve për gazetaren e Top Channel, Elda Menga, Bardhi i është drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshit, duke e akuzuar për mosrespektim të Kushtetutës.

“Sot gjykatat janë në kolaps pikërisht sepse ju nuk respektoni Kushtetutën. Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese për pagat e gjyqtarëve dhe ju nuk merreni me atë çështje. Për ju nuk ka rëndësi Kushtetuta. Ka një vendim të Këshillit të Legjislacionit për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por ju nuk veproni. Pasojat janë se gjyqtarët janë pa paga dhe sot gjykatat janë në krizë. Përgjegjës është Kuvendi, i cili nuk respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, mësohet të ketë deklaruar Bardhi.

Më tej, ai ka shtuar:

“Ju jeni kryetari i Kuvendit, i vetmi në histori që konsideroni më të rëndësishëm zbatimin e një akti qeveritar sesa Kushtetutën. Në hierarkinë e normave ju nuk vendosni Kushtetutën e Shqipërisë, por urdhrat e Këshillit të Ministrave. Na folët këtu se si do të jetë sesioni i ri parlamentar, por ju po e nisni këtë sesion duke shkelur Kushtetutën. E mbyllët sesionin e kaluar duke shkelur Kushtetutën, tani po e nisni me shkelje kushtetuese. Do të duhej që ky Kuvend ta niste sesionin dje. Po ju nuk jeni serioz, nuk e njihni Kushtetutën”.

Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka mbrojtur qëndrimin e mazhorancës, duke deklaruar se Kuvendi ka respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ka ndjekur procedurat përkatëse.

“Ne kemi respektuar plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe kemi ushtruar të drejtën tonë kushtetuese për të propozuar ligjin përkatës. Ky krah i Kuvendit nuk ka vënë asnjëherë në diskutim vendimet e Gjykatës Kushtetuese apo të gjykatave të tjera”, u shpreh Balla.

Ai theksoi se përcaktimi i nivelit të pagave është kompetencë e Parlamentit.

“Në botën demokratike përcaktimi i pagave është kompetencë e Parlamentit, jo e gjykatave”, deklaroi Balla.

Sipas tij, Grupi Parlamentar i PS-së ka depozituar brenda afateve projektligjin që adreson vendimin e Kushtetueses dhe kërkoi që ai të shqyrtohet sa më shpejt në komisione dhe të kalojë për miratim në seancë plenare.

Përplasja vjen në një kohë kur bojkoti për pagat e gushtit ka prekur administratën dhe sekretarët gjyqësorë, Dhomën Civile dhe Dhomën Penale të Gjykatës së Tiranës, si dhe administratën e Gjykatës së Apelit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds