Fermerët e Grabjanit janë ndër kultivuesit kryesorë të lulediellit në zonën tonë duke ruajtur traditën e kësaj kulture bujqësore. Prodhimi i lulediellit për këtë vit bujqësor ka qenë i mbarë, por mungesa e tregut të shitjes ka bërë që rreth 900 tonë prodhim i përpunuar të mbesë stok në magazinat apo dhe banesat e fermerëve.
Megjithëse sipërfaqet e mbjella me këtë kulturë, nga viti në vit vijnë duke u tkurrur për shkak të mungesës së tregut, përsëri fermerët nuk heqin dorë nga kultivimi i saj.
Sipas fermerëve, mungesa e tregut të shitjes, kryesisht tregut të jashtëm, por edhe ato pak sasira që merr tregu i brendshëm, nuk kanë garanci se kur do t’u rikthehen shpenzimet e bëra për këtë kulturë.
Në këto kushte, shteti duhet të luajë rolin e rregullatorit për t’u ardhur në ndihmë fermerëve jo vetëm për të shitur prodhimin e këtij viti, por t’u krijojë mundësi për të vazhduar punën për vitin e ardhshëm
Fermeri Thanas Veliu, i cili merret prej 35 vitesh me kultivimin e lules së diellit, shprehet se Ministria e Bujqësisë duhet të garantojë treg shitjeje, jo vetëm për eksport, por dhe të mendojë për industrinë përpunuese për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare kulturës së lulediellit si dhe kulturave të tjera industriale.
Nga biseda të kryera sot me fermerët që kultivojnë luledielli në Grabjan, jashtë kamerave shprehen se nuk mundet të shiten kaq prodhim që kanë aktualisht në gjendje me kausha nëpër Shqipëri, pasi do të duhen vite të tëra për t’a mbaruar.
