Zjarret kanë prekur zona të ndryshme të Shqipërisë gjatë këtij viti, ndërsa të dhënat për buxhetet vendore tregojnë se vetëm 23 bashki kanë parashikuar fonde për mbrojtjen nga zjarri dhe emergjencat civile.
Nga rreth 729.6 milionë lekë të planifikuara, deri në fund të qershorit janë shpenzuar vetëm 75.7 milionë lekë, ose 10.4% e fondit.
Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se nga 23 bashkitë që kanë parashikuar fonde për mbrojtjen nga zjarri, vetëm 11 kanë kryer shpenzime deri në fund të qershorit.
12 bashki të tjera nuk kishin bërë ende asnjë pagesë për këtë program.
Diferenca më e madhe mes buxhetit të planifikuar dhe shpenzimeve faktike është në Tiranë.
Kryeqyteti kishte parashikuar rreth 356.8 milionë lekë, pothuajse gjysmën e fondit të 23 bashkive së bashku.
Por deri në qershor ishin shpenzuar vetëm 164.9 mijë lekë, që përbën rreth 0.05% të buxhetit të parashikuar.
Në Durrës, ku ishin parashikuar rreth 104 milionë lekë për këtë sektor, deri në qershor nuk rezultonte asnjë shpenzim.
Tirana dhe Durrësi së bashku përbëjnë më shumë se 63% të fondeve të planifikuara nga 23 bashkitë, por deri në qershor kishin shpenzuar vetëm rreth 165 mijë lekë.
Ndër bashkitë që kanë përdorur më shumë nga fondet e parashikuara është Himara.
Ajo kishte planifikuar rreth 143.8 milionë lekë dhe deri në qershor kishte shpenzuar 46.8 milionë lekë, ose 32.5% të fondit.
Pjesa kryesore e kësaj shume, 46.8 milionë lekë, lidhet me blerjen e një automjeti zjarrfikës.
Pusteci kishte shpenzuar rreth 10.8 milionë lekë nga 18.9 milionë të planifikuara, ndërsa Kukësi kishte realizuar 99.7% të fondit të tij.
Nga 8.46 milionë lekë të parashikuara, rreth 8.44 milionë lekë ishin shpenzuar, ku rreth 7 milionë lekë shkuan për blerjen e një automjeti zjarrfikës.
Edhe Librazhdi kishte realizuar pothuajse të gjithë fondin prej rreth 4.55 milionë lekësh, megjithëse pjesa më e madhe e shpenzimeve lidhej me ndërhyrje të mbrojtjes civile dhe jo drejtpërdrejt me pajisje zjarrfikëse.
Në total, Himara, Pusteci dhe Kukësi përbëjnë rreth 87% të shpenzimeve faktike të regjistruara deri në qershor nga 23 bashkitë.
Ndërkohë, në disa bashki të tjera, mes tyre Kavaja, Kruja, Vlora, Bulqiza, Malësia e Madhe, Gramshi, Puka, Përrenjasi, Këlcyra dhe Dropulli, nuk rezultonin ende shpenzime për këtë program, pavarësisht se fondet ishin parashikuar në buxhet.
Të dhënat i referohen gjendjes deri në fund të qershorit 2026, ndaj pasqyrojnë vetëm gjysmën e parë të vitit dhe jo shpenzimet përfundimtare vjetore./MONITOR
