Banka e Shqipërisë miratoi këtë javë disa ndryshime në rregulloren e saj “Për veprimtarinë valutore”.
Sipas Bankës Qendrore, ndryshimet synojnë thjeshtimin e procedurave për kryerjen e transfertave dhe përshtatjen e kuadrit rregullator me zhvillimet në fushën e dixhitalizimit të pagesave, duke siguruar heqjen e kërkesës për paraqitjen e dokumentacionit specifik justifikues për transfertat korrente ndërmjet rezidentëve dhe jorezidentëve.
Këto ndryshime priten të lehtësojnë procesin për qytetarët dhe bizneset, në kuadër edhe të zhvillimeve që lidhen me SEPA-n, Open Banking dhe të pagesave të çastit.
Ndërkohë, subjektet e rregullores do të vazhdojnë të zbatojnë detyrimet mbi dokumentacionin që parashikohet nga legjislacioni në fuqi për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Gjithashtu, ndryshimet sigurojnë harmonizimin e përkufizimeve të termave “rezident” dhe “jorezident” me standardet ndërkombëtare, bazuar në parimin e rezidencës ekonomike.
Sipas rregullores së re, rezident klasifikohet çdo person fizik ose person juridik që e ka qendrën e interesit ekonomik në territorin e Republikës së Shqipërisë, zakonisht për një periudhë jo më të shkurtër se dymbëdhjetë muaj.
Personi fizik konsiderohet rezident kur banon zakonisht në Republikën e Shqipërisë ose ushtron aty veprimtari ekonomike në mënyrë të qëndrueshme dhe nuk ndryshon rezidencën vetëm për arsye studimi, trajtimi shëndetësor, shërbimi të përkohshëm apo udhëtimi jashtë vendit.
Me rregulloren e mëparshme, një person fizik konsiderohej rezident për sa kohë që ishte i regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile të Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nga kohëzgjatja e qëndrimit jashtë saj.
Lidhur me personat juridikë, rregullorja përcakton se ata konsiderohen rezidentë kur janë të inkorporuar ose regjistruar sipas legjislacionit shqiptar ose e kanë vendin e menaxhimit efektiv apo qendrën e operacioneve kryesore në Republikën e Shqipërisë.
Degët e jorezidentëve në Republikën e Shqipërisë do të trajtohen si njësi rezidente, ndërsa degët e rezidentëve jashtë Republikës së Shqipërisë do të trajtohen si njësi jorezidente.
Njësitë diplomatike dhe konsullore dhe kontingjentet ushtarake të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe anëtarët e familjeve të tyre, konsiderohen rezidentë të Republikës së Shqipërisë, ndërsa organizatat ndërkombëtare të vendosura në Republikën e Shqipërisë konsiderohen jorezidente dhe personeli i huaj i akredituar konsiderohet jorezident.
Njësitë jo-fitimprurëse do të njihen si rezidente në rastin kur veprojnë kryesisht në Republikën e Shqipërisë.
Entitetet me qëllim të posaçëm, si shoqëritë zotëruese, fondet apo subjekte të ngjashme do të klasifikohen në varësi të inkorporimit ose menaxhimit efektiv.
Të gjithë personat apo njësitë e tjera, që nuk përfshihen në kategorinë rezidentë sipas përcaktimeve të mësipërme, do të konsiderohen si jorezidentë. Klasifikimi i rezidencës për zbatimin e kësaj rregulloreje bazohet në parimet e Manualit të Bilancit të Pagesave (dokument i FMN) dhe rregulloret përkatëse të Bankës Qendrore Europiane.
