Prej fillimit të muajit shtator Tatimet kanë nisur të shpërndajnë kompensimin nga plotësimi i Deklaratës Vjetore të të Ardhurave Personale (DIVA 2025), për ata aplikues që nga administrata tatimore iu kërkua plotësimi i mangësive të dokumentacionit.
Z.Sh me profesion mësuese pohon se në mesin e muajit qershor nëpërmjet një letre u njoftua nga administrata tatimore për plotësimin e mangësive të dokumentacionit, sipas një listë të dërguar prej tyre.
Me hapjen e aplikimeve në muajin mars, pas plotësimit të DIVA kishte aplikuar për kompensim, pasi rezultoi me tepricë kreditorë në vlerën 25 mijë lekëve.
Aplikuesja ka dy fëmijë ku për secilin përfiton zbritje shpenzimesh me vlerë 48 mijë lekë, dhe të ardhurat vjetore nuk tejkalojnë vlerën e 1.2 mln lekëve në vit. Për rrjedhojë përfitoi zbritje shpenzimesh në vlerën maksimale prej 100 mijë lekë për arsimin e fëmijëve.
Pas shqyrtimit të aplikimeve administrata tatimore vendosi 20 ditë afat për plotësimin e mangësive në dokumentacion, ndryshe aplikimi anulohet. Ata individë që duhet të plotësonin mangësitë në dokumentacionin e dorëzuar u njoftuan nga administrata tatimore nëpërmjet shkresave gjatë muajit qershor.
“Nga shqyrtimi i dokumentacionit të deklaruar nga ana juaj në lidhje me përputhshmërinë e tij me bazën ligjore lartpërmendur, rezulton sa më poshtë: Kriteret ligjore që duhet të plotësohen për rimbursim, si:
Vlera e kërkuar për rimbursim të shpenzimeve arsimore për fëmijët nën 18 vjeç; Vlera e njohur nga tatimet pas kontrollit të dokumentacionit të deklaruar për shpenzimeve arsimore për fëmijët; Vlera kreditore në sistemin informatik të tatimeve e mbetur pas zbritjes të përfitimeve për fëmijët; Vlera Tatimit mbi të Ardhurat Individuale e miratuar për rimbursim; Plotësimi i kushtit për të ardhurat vjetore nga punësimi/biznesi nën 1.2 milion lek; Plotësimi në sistemin informatik të formularit për rimbursim të Tatimit mbi të Ardhurat Individuale… etj
Për sa ju referuam më lart, në lidhje me mangësitë e konstatuara nga ana e administratës tatimore, për plotësimin e kushteve ligjore të kërkesës suaj për zbritjen nga baza e tatueshme të shpenzimeve arsimore për fëmijët nën 18 vjeç, për vitin 2025, në mbështetje të ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008, “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, neni 60, “Detyrimi i tatimpaguesit për të dhënë informacion dhe për të lejuar hyrjen në mjediset e veprimtarisë ekonomike”, brenda 20 ditëve nga data e postimit të këtij njoftimi duhet të plotësoni mangësitë e konstatuara sipas tabelës më lart (kriteret ligjore të konstatuara me “JO”), me qëllim ndjekjen e procedurave të mëtejshme të rimbursimit nga administrata tatimore.
Në rast të mosplotësimit të kritereve ligjore nga ana juaj administrata tatimore do të vijojë me anulimin e kërkesës për rimbursimin e shpenzimeve arsimore për fëmijët nën 18 vjeç”, theksohet ne njoftimin që tatimet u kanë nisur më herët aplikuesve.
Në shumë raste, për plotësimin e mangësive të evidentuara në dokumentacion, individët aplikues iu drejtuan zyrave të ekonomistëve dhe kontabilistëve. Për këto raste, ekonomistët sqaruan aplikuesit se duhet t’i përgjigjen njoftimit të Tatimeve me një shkresë sqaruese, duke bashkëngjitur dokumentacionin që provon plotësimin e kriterit apo të dhënës së kërkuar, për të cilën administrata ka evidentuar mungesë.
Sakaq administrate tatimore vijon rimbursimi për individët në kuadër të DIVA 2025.
Sipas të dhënave të tatimeve deri më 15 Gusht janë 39,940 individët përfitues nga tatimi i mbipaguar dhe zbritja për fëmijët. Vlera totale e rimbursimit arrin në 6.4 milionë euro.
Skema parashikon njohjen e shpenzimeve deri në 100 mijë lekë për arsimin e fëmijëve nën 18 vjeç, ndërsa përfitues janë individët me të ardhura bruto vjetore deri në 1.2 milionë lekë. Përveç plotësimit të kushtit për të ardhurat, individët aplikues shpenzimet arsimore duhet t’i kenë të justifikuara me fatura fiskale, të cilat ngarkohen online në e-Filing.
E drejta për aplikim me qëllim përfitimin e kompensimit për asnjë kategori nuk humbet për 5 vite.
Por që kompensimi të përfitohet në llogarinë bankare, duhet të plotësohet një kërkesë online në sistemin e-Filing, të ngarkohen dokumentet justifikuese përfshirë certifikatën familjare, faturat e shpenzimeve arsimore të fëmijëve për ata prindër që kanë të ardhurat vjetore nën 1.2 mln lekë në vit dhe IBAN të llogarisë bankare në formatin pdf (qoftë të nxjerrë nga aplikacioni i llogarisë ose të marrë pranë sportelit të bankës)
