Rrjeti SafeJournalists ka reaguar me shqetësim lidhur me rregulloren e re të Gjykatës së Posaçme, posaçërisht për pikat dhe dispozitat që prekin drejtpërdrejt punën e medias. Përmes një deklarate, organizata i ka bërë thirrje institucionit të drejtësisë që të pezullojë menjëherë zbatimin e këtyre rregullave dhe të nisë një proces të mirëfilltë rishikimi.
Në reagimin e publikuar në rrjetet sociale, SafeJournalists kërkon nga Gjykata e Posaçme marrjen e masave me efekt të menjëhershëm për bllokimin e udhëzimeve të kundërshtuara, duke i hapur rrugë dialogut me përfaqësuesit e fjalës së lirë dhe ekspertët e fushës.
“Rrjeti SafeJournalists i bën thirrje Gjykatës së Posaçme të pezullojë zbatimin e dispozitave të kundërshtuara që lidhen me median dhe të ndërmarrë një rishikim të fokusuar përmes konsultimit kuptimplotë me gazetarët, organizatat e medias, ekspertët ligjorë dhe shoqërinë civile” – nënvizon rrjeti në deklaratën e tij.
Sipas organizatës për mbrojtjen e gazetarëve, garantimi i lirisë së informimit dhe ruajtja e hapësirës për raportim të pavarur mbeten shtyllat kryesore të transparencës publike, ndaj çdo kornizë e re rregullatore duhet të mbështetet mbi konsultimin me komunitetin e mediatikve.
