Në Krujë vijojnë të jenë aktive disa vatra zjarri të favorizuara nga era, ndërsa terreni e vështirëson ndërhyrjen nga toka.
Një vatër është riaktivizuar pasditen e sotme në lagjen Abaze, aty ku dy ditë më parë nisi zjarri që përfshiu zonat përreth dhe rrezikoi qytetin e Krujës. Në terren ndodhen forca të shumta zjarrfikëse, efektivë të forcave të armatosura dhe banorët.
Ende aktive mbetet edhe vatra në fshatin Halil, ku ndërhyrja po kryhet nga ajri dhe toka. Helikopterët e Forcave Ajrore vijojnë operacionin për shuarjen e flakëve, ndërsa terreni i thyer e vështirëson ndjeshëm punën e forcave në tokë.
Ndërkohë, sipas Prefekturës së Durrësit, vatra në Krastë por vihet nën kontroll, por forcat ndodhen në terren të ndara në dy grupe.
Në Krastë, në zonën e Zidollit, gjatë ditës së sotme janë angazhuar rreth 50 efektivë të Forcave të Armatosura, së bashku me zjarrfikësit dhe strukturat e emergjencave civile për të shuar zjarrin që natën e kaluar u vu përkohësisht nën kontroll.
Forcat në terren vijojnë ndërhyrjen në vatrat aktive, me synim izolimin e plotë të zjarreve dhe shmangien e rrezikut për zonat e banuara, ndërsa dëmet në ullishte dhe dru frutorë janë të konsiderueshme.
