Çmimet e naftës shënuan një rënie të fortë në hapjen e tregjeve aziatike të martën, pasi deklaratat e Presidentit amerikan Donald Trump për përparim në bisedimet me Iranin rritën optimizmin se tensionet në Lindjen e Mesme mund të zbuten.
Nafta Brent, referenca kryesore për tregun evropian, zbriti në 87.94 dollarë për fuçi, duke regjistruar një rënie prej 10.61%. Ndërkohë, nafta bruto amerikane WTI ra në 82.02 dollarë për fuçi, ose 9.33% më pak krahasuar me mbylljen e mëparshme.
Lëvizja e tregjeve erdhi pasi Trump deklaroi se Uashingtoni po zhvillon “bisedime të mira” me Teheranin për t’i dhënë fund konfliktit. Sipas tij, SHBA ka pezulluar përkohësisht sulmet ndaj Iranit për t’i hapur rrugë diplomacisë.
Operacionet ushtarake amerikane u ndërprenë në fund të javës së kaluar, pas gati dy javësh sulmesh, ndërsa Irani ndaloi sulmet hakmarrëse ndaj bazave amerikane në vendet fqinje.
Paralelisht, negociatorët iranianë dhe ata të Omanit zhvilluan takime gjatë fundjavës me synimin për të arritur një marrëveshje që do të mundësonte rikthimin e lundrimit normal në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë. Kjo ka ulur shqetësimet e tregjeve për ndërprerje të furnizimit global.
Në rënien e çmimeve ndikoi edhe përmirësimi i furnizimit me naftë, pasi eksportet rifilluan nga terminali i Konsorciumit të Tubacionit Kaspik në brigjet e Detit të Zi në Rusi. Ky terminal, një pikë kyçe për eksportin e naftës kazake, kishte pezulluar aktivitetin pas sulmeve me dronë ukrainas.
