Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj deklaratës së Ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale Snezhana Paunoviç e cila tha se, nëse do të kishte qenë në vend të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviç në vitin 1998 do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.
Deklarata e bërë gjatë një interviste për median serbe Kurir ka shkaktuar reagime të shumta pasi u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian Anitta Hipper tha se Bashkimi Evropian nuk komenton deklaratat individuale të politikanëve, por nënvizoi se në Evropë nuk ka vend për retorikë që arsyeton apo promovon spastrimin etnik.
Sipas saj deklarata të tilla bien ndesh me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimit, llogaridhënies dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian. Hipper shtoi se kjo retorikë është në kundërshtim edhe me angazhimet që Serbia ka marrë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, të ndërmjetësuar nga BE-ja, duke theksuar se liderët duhet të përmbahen nga deklaratat nxitëse.
Gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998–1999 mbi 13 mijë civilë humbën jetën, mijëra të tjerë u zhdukën, ndërsa më shumë se një milion shqiptarë u dëbuan me forcë nga shtëpitë e tyre. Ish-presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviç i akuzuar nga Gjykata e Hagës për krime lufte vdiq në paraburgim para përfundimit të procesit gjyqësor.
