Franca dhe Spanja zbresin nesër në orën 21:00 në fushë për një nga përballjet më të mëdha të Kupës së Botës 2026. Përveç rivalitetit sportiv, gjysmëfinalja sjell edhe një përballje të jashtëzakonshme mes dy kombëtareve me vlerën më të lartë të merkatos.
Sipas vlerësimeve të tregut, lojtarët e të dyja skuadrave kapin një vlerë totale prej rreth 2.74 miliardë eurosh. Franca udhëheq me një organikë prej 1.52 miliardë eurosh, ndërsa Spanja arrin në 1.22 miliardë euro.
Në këtë duel do të jenë në fushë disa nga futbollistët më të shtrenjtë të turneut. Në krye qëndron talenti spanjoll Lamine Yamal, me një vlerë të përllogaritur prej 200 milionë eurosh.
Pas tij renditet francezi Kylian Mbappe me 180 milionë euro, ndërsa Michael Olise dhe Pedri vlerësohen me nga 150 milionë euro secili.
Franca dhe Spanja kanë në përbërje edhe shtatë futbollistë me vlerë mbi 100 milionë euro, ndërsa 22 lojtarë të tjerë kalojnë ose arrijnë shifrën e 50 milionë eurove. Nga këta, shtatë janë pjesë e Spanjës dhe 15 mbajnë fanellën e Francës.
Diferencat sipas reparteve
Në portë avantazhin e ka Spanja, me një vlerë totale prej 97 milionë eurosh, përballë 57 milionëve të Francës.
Në mbrojtje situata ndryshon, pasi skuadra franceze dominon me një vlerë prej 404 milionë eurosh, ndërsa mbrojtja spanjolle vlerësohet në 288 milionë euro.
Mesfusha favorizon Spanjën, e cila arrin një vlerë prej 420 milionë eurosh, kundrejt 312 milionëve të Francës.
Diferenca më e madhe është në repartin ofensiv. Sulmi francez, me emra si Mbappe dhe yje të tjerë të kampionatit, vlerësohet rreth 750 milionë euro, duke i dhënë avantazh Francës ndaj Spanjës në këtë aspekt.
Përballja mes dy kampioneve të Evropës pritet të jetë jo vetëm një betejë taktike për një vend në finale, por edhe një shfaqje e disa prej talenteve më të mëdha dhe më të kushtueshme të futbollit botëror.
