Irani ka mohuar se ka kërkuar rifillimin e negociatave me Shtetet e Bashkuara, vetëm pak orë pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Uashingtoni dhe Teherani kishin rënë dakord të vazhdonin bisedimet.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghai, theksoi se Teherani nuk ka bërë asnjë kërkesë për negociata me SHBA-në. Megjithatë, ai konfirmoi vizitën në Iran të një ndërmjetësi nga Katari, sipas raportimeve të televizionit shtetëror iranian.
Më herët gjatë ditës dje, Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara kishin pranuar të zhvillonin bisedime me Iranin pasi, sipas tij, Teherani kishte kërkuar vazhdimin e negociatave.
Presidenti amerikan shtoi gjithashtu se armëpushimi i arritur mes palëve në muajin qershor tashmë ka skaduar, duke lënë të paqartë ecurinë e mëtejshme të marrëdhënieve mes dy vendeve.
