Në Krutje të Lushnjës u mbajt për të gjashtin vit radhazi Festivali i Kabasë Myzeqare, një aktivitet që tashmë është kthyer në traditë kulturore për zonën. Rreth 100 artistë nga Lushnja, Dimali, Fieri dhe qytete të tjera sollën në skenë meloditë karakteristike të Myzeqesë, duke i dhënë jetë një prej pasurive më të çmuara të muzikës popullore shqiptare.

Sipas udhëheqësit artistik të koncertit Albert Kajno, festivali synon ruajtjen e muzikës myzeqare si një trashëgimi e vyer e lënë nga të parët, por edhe përcjelljen e saj te brezat e rinj.

Për klarinetistin e njohur që është dhe Kryetari i jurisë së festivalit Fatos Liçka, kabaja mbetet një nga format më të veçanta të muzikës popullore shqiptare. Sipas tij në fillesat e saj kabaja ishte një vajtim i interpretuar nga mjeshtrit e vjetër, ndërsa sot ajo vjen me një frymë më bashkëkohore pa humbur identitetin dhe vlerat artistike që e karakterizojnë.

Festivali u mbështet edhe nga Bashkia e Lushnjës. Kryebashkiakja Eriselda Sefa theksoi se ky aktivitet synon të ruajë dhe promovojë një nga vlerat më të çmuara të trashëgimisë muzikore të Myzeqesë duke e përcjellë atë te brezat e rinj.

Në përfundim të festivalit, juria e përbërë nga Fatos Liçka, Valbona Hekurani dhe Saimir Bahja ndau çmimet për interpretuesit më të mirë. Çmimi i parë iu dha grupit të Krutjes, i dyti grupit të Semanit në Fier dhe i treti grupit të Dimalit. Edicioni i gjashtë i Festivalit të Kabasë Myzeqare u mbyll mes duartrokitjeve, duke konfirmuar edhe një herë rëndësinë e ruajtjes së kësaj trashëgimie të vyer muzikore shqiptare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds