Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq shtetasin M.R., i akuzuar për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278, paragrafi 6, i Kodit Penal.
Sipas hetimeve të zhvilluara në kuadër të procedimit penal nr. 1586 të vitit 2025, rezulton se M.R., gjatë kohës që drejtonte automjetin, mbante me vete një armë zjarri tip pistoletë dhe 50 fishekë. Më pas, gjatë kontrolleve të ushtruara në ambiente të përdorura prej tij, u zbuluan dhe u sekuestruan edhe 12 armë të tjera zjarri, konkretisht 10 automatikë model 56, një armë automatike e tipit “Skorpion” dhe një pistoletë, të gjitha në gjendje funksionale sipas ekspertimit teknik-balistik.
Po ashtu, në kuadër të hetimeve janë sekuestruar edhe 465 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, 14 krehëra armësh për automatikë, pushkë dhe pistoleta, si dhe 2 pajisje për zbutjen e zhurmës së armëve, të njohura si silenciatorë.
Nga aktet e ekspertimit teknik-balistik ka rezultuar se të gjitha armët dhe municionet e sekuestruara ishin në gjendje të rregullt teknike dhe të afta për qitje. Hetimet kanë nxjerrë gjithashtu të dhëna që krijojnë dyshime se një pjesë e armëve mbahej me qëllim shitjen e tyre në mënyrë të paligjshme. Ky aspekt po hetohet në një procedim penal të ndarë.
Prokuroria e Fierit shprehet se mbetet e angazhuar në goditjen e çdo forme kriminaliteti që cenon rendin dhe sigurinë publike, veçanërisht të veprave penale që lidhen me armëmbajtjen pa leje, prodhimin dhe tregtimin e paligjshëm të armëve dhe municioneve. Në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe institucionet e tjera ligjzbatuese, organi i akuzës thekson se do të vijojë ndjekjen me vendosmëri të rasteve të tilla, me synim forcimin e rendit publik dhe rritjen e sigurisë së qytetarëve.
