Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shpalli të pafajshme Kryebashkiaken e Roskovecit Majlinda Bufi e cila ishte marrë e pandehur nga SPAK për akuzën e përdorimit të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore. Vendimi u dha nga gjyqtarja Irena Gjoka e cila arsyetoi se gjatë gjykimit nuk u provua që Bufi të kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohej.
Çështja lidhej me zgjedhjet vendore të 14 majit 2023. Sipas SPAK në cilësinë e Kryetares së Bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi i kishte kërkuar një qytetari të mos merrte pjesë në votime dhe të mos angazhohej në veprimtari politike të forcave të tjera duke ushtruar presion për shkak të detyrës që mbante. Hetimi nisi pas publikimit të një audio-regjistrimi në media dhe më pas u regjistrua procedimi penal.
Gjatë gjithë procesit gjyqësor Bufi u hetua dhe u gjykua në gjendje të lirë, ndërsa i ka mohuar vazhdimisht akuzat duke deklaruar se nuk kishte ushtruar presion ndaj askujt dhe se ishte e pafajshme. Prokuroria e Posaçme kërkoi dënimin e saj me 1 vit e 6 muaj burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi do të zbriste në 1 vit burg, ndërsa SPAK kërkoi pezullimin e ekzekutimit të dënimit, vendosjen në shërbim prove për dy vjet, si edhe ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike.
Megjithatë GJKKO vlerësoi se provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk ishin të mjaftueshme për të provuar fajësinë e saj dhe vendosi rrëzimin e akuzës së ngritur nga SPAK duke e shpallur Majlinda Bufin të pafajshme.
