Shpejtësia tej normave, drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit dhe mosrespektimi i rregullave të qarkullimit vijojnë të mbeten shkaqet kryesore të aksidenteve në rrugët e vendit. Të dhënat e gjashtëmujorit të parë të vitit tregojnë një situatë shqetësuese, me rritje të numrit të aksidenteve krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në gjashtë muajt e parë të vitit janë regjistruar 698 aksidente rrugore, ku kanë humbur jetën 99 persona. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i aksidenteve është rritur me 3.%.

Policia Rrugore ka intensifikuar kontrollet ndaj drejtuesve që shkelin rregullat e qarkullimit. Gjatë kësaj periudhe janë arrestuar 910 drejtues mjetesh për drejtim në gjendje të dehur dhe 843 persona për drejtim automjeti pa leje drejtimi.

Edhe statistikat e publikuara nga INSTAT për muajin maj konfirmojnë prirjen në rritje. Gjatë këtij muaji u regjistruan 133 aksidente rrugore, ndërsa 181 persona mbetën të vrarë ose të plagosur. Sipas të dhënave në 94% të rasteve aksidentet janë shkaktuar nga sjellja e drejtuesve të mjeteve. Më të përfshirët rezultojnë drejtuesit e grupmoshës 25–34 vjeç, ndërsa e diela mbetet dita me numrin më të lartë të aksidenteve. Për të ulur numrin e ngjarjeve rrugore, Policia e Shtetit ka ndryshuar strategjinë e kontrollit. Patrullat e Policisë Rrugore nuk do të ndalojnë më automjetet pa një shkak të ligjshëm, ndërsa kontrolli në terren do të mbështetet gjithnjë e më shumë te pajisjet inteligjente dhe teknologjia të cilat do të evidentojnë në kohë reale shkeljet e qarkullimit duke synuar ndëshkimin e autorëve dhe parandalimin e aksidenteve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds