Dy shtetas shqiptarë janë dënuar me 18 muaj burg për një vjedhje në një banesë në Belgjikë, ndërsa gjykata vendosi që 12 muaj të dënimit të kthehen në dënim me kusht.
Ngjarja u zbulua pasi një banor i zonës vuri re dy persona të panjohur brenda shtëpisë së fqinjit të tij të ndjerë dhe njoftoi menjëherë policinë dhe më pas efektivët mbërritën në vendngjarje dhe i arrestuan të dy në flagrancë.
Sipas prokurorisë, të dy të arrestuarit mbanin doreza dhe një elektrik dore, ndërsa në posedim kishin edhe bizhuteri që i përkisnin pronarëve të ndjerë të banesës. Hetimet zbuluan gjithashtu gjurmë të përdorimit të kaçavidës në një dritare, ndërsa një sensor lëvizjeje ishte çmontuar.
Përballë provave, të dy të pandehurit pranuan autorësinë e veprës dhe gjatë seancës gjyqësore, avokatja e njërit prej tyre, Julie Crowet, deklaroi se klienti i saj kishte ardhur nga Shqipëria në Belgjikë për të punuar.
“Klienti im punoi për një periudhë në sektorin e ndërtimit, por nuk u pagua. Ai u gjend në një situatë të dëshpëruar dhe përfundoi në atë banesë së bashku me një mik”, u shpreh avokatja.
Mbrojtja theksoi se bëhej fjalë për përplasjen e parë të klientit të saj me drejtësinë dhe kërkoi një dënim me kusht. Edhe i pandehuri tjetër paraqiti të njëjtën kërkesë.
