Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja bëri të ditur se është miratuar projektligji për ndryshimet në ligjin “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”.
Gonxhja theksoi se, ky projektligj synon modernizimin e kuadrit ligjor shqiptar për të drejtën e autorit, duke e përafruar atë me acquis të Bashkimit Europian dhe zhvillimet e ekonomisë digjitale.
Ndryshimet e miratuara parashikojnë forcimin e mbrojtjes së të drejtave të autorit në mjedisin online, si dhe rritjen e përgjegjësisë së platformave digjitale për përdorimin e përmbajtjeve të mbrojtura.
Po ashtu, krijohen të drejta të reja për autorët, artistët interpretues dhe botuesit e publikimeve të shtypit, ndërsa garantohet shpërblim më i drejtë, transparencë më e madhe dhe mundësi për rishikimin e kontratave të padrejta.
Projektligji lehtëson gjithashtu përdorimin e veprave për qëllime arsimore, kërkimore shkencore, si dhe për institucionet si bibliotekat, arkivat dhe muzetë.
Në të njëjtën kohë, ai rregullon format e reja të transmetimit dhe ritransmetimit në mjedisin digjital dhe forcon bashkëpunimin institucional, përfshirë edhe me autoritetet e vendeve të Bashkimit Europian.
Sipas ministrit ky projektligj synon të krijojë një sistem më të drejtë, më transparent dhe më efektiv për mbrojtjen e krijimtarisë, duke iu përgjigjur sfidave të teknologjisë dhe tregut digjital.

