Sektori i blegtorisë në Shqipëri po përballet me një tkurrje të vazhdueshme të numrit të krerëve duke reflektuar krizën që ka përfshirë një nga degët më të rëndësishme të bujqësisë. Të dhënat zyrtare për vitin 2025 tregojnë se pothuajse të gjitha kategoritë e bagëtive kanë shënuar rënie, ndërsa ekspertët e lidhin këtë situatë me plakjen e popullsisë rurale, mungesën e interesit të të rinjve dhe vështirësitë ekonomike të fermerëve.
Sipas statistikave numri i përgjithshëm i krerëve të bagëtive ra me 3.8% krahasuar me vitin 2024. Rënia më e ndjeshme është regjistruar te të imtat, ku numri i deleve dhe dhive u ul me 56 mijë krerë ose rreth 3%, ndërsa sektori i derrave pësoi goditjen më të fortë me një tkurrje prej 28% nga 104 mijë në vetëm 75 mijë krerë brenda një viti.
Edhe popullsia e shpendëve vijoi prirjen rënëse duke shënuar një ulje prej 1%, ndërsa gjedhët përbëjnë të vetmen kategori që ka dhënë shenja të lehta rimëkëmbjeje. Numri i tyre u rrit me rreth 3 mijë krerë gjatë vitit 2025 duke arritur në 275 mijë ose rreth 1% më shumë se një vit më parë.
Në kontrast me këtë panoramë bletaria vazhdon të jetë sektori më dinamik. Numri i koshereve u rrit me 58 mijë duke arritur në 645 mijë ose 10% më shumë krahasuar me vitin 2024.
Në një analizë afatgjatë situata paraqitet edhe më shqetësuese. Nga viti 2021 deri në vitin 2025 numri i gjedhëve dhe i të imtave është ulur me 18%, ndërsa numri i derrave është përgjysmuar me një rënie prej 53%.
Ekspertët e lidhin këtë tkurrje me faktorin demografik, pasi shumë fermerë të moshuar po e braktisin aktivitetin për shkak të vështirësive fizike, ndërsa brezat e rinj nuk po e shohin blegtorinë si një sektor tërheqës për të investuar. Situata rëndohet edhe nga kostot e larta të prodhimit dhe vështirësitë për të shitur produktet me çmime konkurruese duke e bërë mbajtjen e bagëtive gjithnjë e më pak fitimprurëse. Nëse kjo prirje vazhdon blegtoria shqiptare rrezikon të përballet me një tkurrje edhe më të thellë në vitet e ardhshme me pasoja të drejtpërdrejta për prodhimin vendas dhe sigurinë ushqimore
