Policia Rrugore Fier vijon monitorimin intensiv të akseve kryesore dhe pikave hyrëse-dalëse të qarkut me pajisje inteligjente, me synim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë rrugore.

Gjatë javës së fundit, për shkelje të Kodit Rrugor janë proceduar penalisht 34 shtetas. Tetë prej tyre janë arrestuar në flagrancë për drejtim automjeti në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi, ndërsa 26 drejtues të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë për drejtim mjeti pa leje.

Kontrollet e ushtruara në rrugët urbane dhe lokale kanë sjellë vendosjen e 1354 masave administrative për tejkalim të shpejtësisë, 63 për mospërdorim të rripit të sigurimit, 18 për përdorim të celularit gjatë drejtimit, 40 për parakalim të gabuar, 39 për drejtim nën efektin e alkoolit, si dhe 418 masa për shkelje të tjera që përbëjnë burim aksidentesh.

Po ashtu, janë sekuestruar 27 motomjete që qarkullonin pa dokumentacionin dhe targat përkatëse.

Policia Rrugore Fier apelon sërish për respektimin rigoroz të rregullave të qarkullimit rrugor, si një kontribut i rëndësishëm për rritjen e sigurisë rrugore, mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të përdoruesve të rrugës, si dhe garantimin e një qarkullimi të sigurt, të lirë dhe pa pengesa.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds