Rreth 20 mijë hektarë tokë bujqësore në njësitë administrative Zharrëz të Bashkisë Patos dhe Strum të Bashkisë Roskovec vijojnë të mbeten pa ujë për vaditje prej më shumë se 35 vitesh edhe pse zona rrethohet nga burime të shumta ujore dhe ka dy rezervuarë, atë të Zharrëzës dhe Kurjanit.

Vetëm në Zharrëz rreth 600 familje jetojnë kryesisht me bujqësi. Disa kanë hapur puse me shpenzime të mëdha, ndërsa të tjerë janë detyruar t’i lënë tokat djerrë, pasi nuk përballojnë kostot. Ata thonë se mungesa e ujit ka ulur prodhimin dhe të ardhurat.

Kryeplaku i fshatit, Abedin Hoxha, kërkon ndërhyrje urgjente, duke theksuar se rezervuari i Zharrëzës nuk mund të furnizojë tokat për shkak të amortizimit të plotë të rrjetit vaditës.

E njëjta situatë paraqitet edhe në Luar, pranë rezervuarit të Kurjanit. Fermerët thonë se prej vitesh kërkojnë investime për rikthimin në funksion të kanaleve vaditëse, por pa rezultat. Fermeri Xhevahir Rexhaj tregon se mungesa e ujit ka detyruar shumë banorë të braktisin tokat dhe të emigrojnë.

Agronomi Ardian Rama e cilëson paradoksale që një zonë e pasur me burime ujore të mbetet pa sistem vaditës. Sipas tij investimi i fundit i rëndësishëm është bërë në vitin 1993 dhe që prej asaj kohe infrastruktura është degraduar plotësisht.

Mungesa e vaditjes po ndikon jo vetëm në uljen e prodhimit bujqësor, por edhe në zbrazjen e fshatrave. Fermerët presin që pas dekadash premtimesh të ketë më në fund një investim konkret për rikthimin e ujit në tokat e tyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds