Bashkëshortja e aktorit të njohur hollivudian, Bruce Willis, ka sqaruar një nga keqkuptimet më të përhapura rreth sëmundjes së tij, duke theksuar se demenca frontotemporale nga e cila vuan nuk ndikon në kujtesën e tij.
Gjatë një interviste në podcastin “The Bossticks”, Emma Heming Willis shpjegoi se ekzistojnë variante të ndryshme të kësaj sëmundjeje dhe se forma që prek bashkëshortin e saj ndikon kryesisht në gjuhë dhe komunikim.
“Shumë njerëz mendojnë se demenca nënkupton automatikisht humbje të kujtesës, por kjo nuk është e vërtetë në rastin e Bruce. Ai vazhdon t’i njohë familjarët dhe njerëzit e afërt”, tha ajo.
Emma sqaroi se demenca frontotemporale ndryshon nga sëmundja e Alzheimerit, e cila është forma më e zakonshme e demencës. Sipas saj, sëmundja e Bruce nuk ka prekur kujtesën e tij, çka do të thotë se ai ende mban mend personat më të rëndësishëm në jetën e tij, përfshirë pesë vajzat e tij.
Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e ndërgjegjësimit për shëndetin e trurit dhe kujdesin ndaj vetes, veçanërisht për ata që kujdesen për familjarë me sëmundje neurodegjenerative.
“Duhet të kujdesemi për veten tonë në mënyrë që të mund të kujdesemi edhe për ata që duam. Shëndeti i trurit duhet të jetë prioritet për të gjithë ne”, u shpreh Emma.
Që prej publikimit të diagnozës së aktorit në vitin 2023, ajo është bërë zëri kryesor në sensibilizimin e publikut për demencën frontotemporale, ndërsa familja vazhdon t’i qëndrojë pranë aktorit me dashuri dhe mbështetje të vazhdueshme.
