Jennifer Lopez ka tërhequr vëmendjen e publikut pas një interviste të sinqertë në një podcast, ku foli hapur për filmat që kanë ndikuar në jetën e saj dhe për përvojat personale në dashuri.
Këngëtarja dhe aktorja 56-vjeçare rrëfeu adhurimin e saj për filmin kult “True Romance”, duke thënë se personazhet dhe interpretimet në film ishin aq mbresëlënëse sa “do të kisha fjetur me secilin prej tyre”. Deklarata u bë menjëherë virale dhe nxiti reagime të shumta në rrjetet sociale.
Lopez foli edhe për marrëdhëniet e saj të kaluara, duke pranuar se në periudha të ndryshme të jetës është tërhequr nga lidhje që i konsideron “toksike dhe obsesive”. Ajo përmendi filmin “Nine and a Half Weeks” si një nga veprat që ka ndikuar në perceptimin e saj për dashurinë.
“E donim atë lloj dashurie, edhe pse sot e kuptojmë që ishte toksike”, u shpreh artistja, duke reflektuar mbi mënyrën se si ka ndryshuar këndvështrimi i saj me kalimin e viteve.
Në intervistë, Jennifer Lopez preku edhe periudhën e vështirë pas ndarjes nga ish-bashkëshorti i saj, Ben Affleck. Ajo tregoi se mbështetja e familjes, veçanërisht e babait të saj, ka luajtur një rol kyç në procesin e shërimit emocional.
Artistja ndau një moment prekës, duke kujtuar se gjatë një mbrëmjeje me familjen, teksa po shikonin një film, shpërtheu në lot dhe u përball me emocionet e saj më të thella.
“Baballarët janë shumë të rëndësishëm”, kujtoi ajo t’i ketë thënë të atit, i cili më pas e përqafoi dhe i tha: “Të kam dashur gjithmonë”.
Sipas Lopez, ai moment i thjeshtë, por shumë domethënës, e ndihmoi të shëronte një plagë të brendshme dhe të gjente forcën për të ecur përpara pas një periudhe të vështirë në jetën e saj personale.
