Ka nisur në përfaqësitë diplomatike të Kosovës procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, duke u dhënë mundësinë mijëra qytetarëve që jetojnë jashtë vendit të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, votimi po zhvillohet në 30 misione diplomatike, konkretisht në 17 ambasada dhe 13 konsullata të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës. Procesi ka nisur fillimisht në Turqi, ku Ambasada e Kosovës në Ankara dhe Konsullata në Stamboll hapën dyert për votuesit e regjistruar.
Më pas, votimi është shtrirë edhe në shtete të tjera me numër të madh emigrantësh kosovarë si Gjermania, Zvicra, Mbretëria e Bashkuar, Belgjika, Franca, Austria dhe vende të tjera evropiane.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Valmir Elezi bëri të ditur se 27 mijë e 724 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësitë diplomatike. Ndërkohë, këtë të shtunë përfundon edhe procesi i votimit përmes postës për më shumë se 104 mijë votues të regjistruar jashtë territorit të Kosovës.
Pas përmbylljes së votimit, të gjitha fletëvotimet e mbledhura në ambasada, konsullata dhe përmes postës do të transportohen në Kosovë, ku do t’i nënshtrohen procesit të numërimit.
Të dielën, qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përbërjen e re të Kuvendit dhe qeverinë e ardhshme të vendit.
