“Dasma Myzeqare” ishte projekti i radhës në kuadër të aktiviteteve të suksesshme shkollore të realizuara gjatë këtij viti nga nxënësit e shkollës “Nënshkruesi i Pavarësisë Nebi Sefa”.  Nxënësit e klasës së 11-të, së bashku me mësueset kujdestare sollën improvizimin e kësaj ngjarje të madhe familjare dhe shoqërore duke treguar traditat e vjetra të Myzeqesë.

Sheshi para shkollës u shndërrua në një atmosferë festive, ku tingujt e muzikës popullore, vallet tradicionale dhe kostumet karakteristike të punuara me dorë rikthyen në kujtesë një pjesë të rëndësishme të identitetit kulturor të Myzeqesë, ndërsa nxënësit e klasave të tjera dhe mësuesit u bënë pjesë e festës.

Traditat janë kujtesa e gjallë e një populli, ishte qëllimi kryesor i këtij projekti.

Nëpërmjet këtij projekti, nxënësit sollën me detaje momentet më domethënëse të dasmës myzeqare, duke nisur nga përgatitja e dhëndrit, marrja e pajës, deri tek ardhja e nuses e shoqëruar me këngë, urime dhe rituale tradicionale.

Për organizatorët, ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore është një mision i rëndësishëm edukues, që ndihmon brezat e rinj të njohin rrënjët dhe historinë e tyre.

“Dasma Myzeqare” dëshmoi se traditat mbeten një urë lidhëse mes së kaluarës dhe së ardhmes, duke mbajtur gjallë identitetin kulturor të zonës.

Me duartrokitjet e pjesëmarrësve dhe atmosferën festive që shoqëroi aktivitetin, projekti u mbyll me mesazhin se vlerat dhe zakonet e trashëguara duhet të ruhen e të përcillen brez pas brezi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds