575 maturantë lushnjarë nisën sot provimet e Maturës Shtetërore 2026, me testin e parë, atë të Gjuhës së Huaj në 4 qendrat e caktuara të provimit, në shkollat: “18 Tetori”, “Jani Nushi”, “Skënder Libohova” dhe “4 Dëshmorët”.

​Provimi shënon nisjen zyrtare të procesit të maturës për këtë vit, një etapë e rëndësishme për nxënësit që mbyllin arsimin e mesëm dhe synojnë të vazhdojnë studimet e larta.

Sipas rregullave të përcaktuara nxënësit u paraqitën pranë qendrave përkatëse që në orën 08:30 për të kryer procedurat e identifikimit dhe kontrollit, ndërsa testi që zgjati për 2 orë e gjysmë filloi në orën 10:00 dhe përfundoi në orën 12:30.

Autoritetet arsimore u kanë rikujtuar para nisjes së testimit masat që duhet të respektohen gjatë zhvillimit të tij, duke paralajmëruar ndalimin e çdo pajisjeje elektronike, përfshirë telefonat celularë, orët inteligjente dhe mjete të tjera që mund të përdoren për komunikim ose akses në teknologji të inteligjencës artificiale.

Në këtë ditë të rëndësishme për mbi 26.600 maturantë në të gjithë vendin dhe për të gjithë sistemin arsimor, Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro ka përcjellë një mesazh urimi dhe inkurajimi për të gjithë maturantët që i nënshtrohen provimeve të Maturës Shtetërore, si dhe për stafet e institucioneve arsimore që do të ndjekin mbarëvajtjen e këtij procesi.

Në të gjithë vendin janë 144 qendra provimi në shkolla. Mbarëvajtja e procesit do të mbështetet nga 2087 mësues administratorë dhe 170 monitorues të Ministrisë së Arsimit, ndërsa 650 vlerësues do të angazhohen në korrigjimin e testeve të Maturës Shtetërore.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *