Një aksident me pasojë vdekjen e një 43 vjeçari ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në qytetin e Lushnjës. Viktima është shtetasi E. Xh., 43 vjeç nga Karbunara e Lushnjës, vëllai i zv.ministres së Mjedisit.
Sipas informacioneve paraprake, 43-vjeçari kishte kryer manovra të rrezikshme me automjetin e tij dhe kishte bërtitur pranë Komisariatit të Policisë së Lushnjës. Pas konstatimit të pranisë së patrullës së policisë, ai dyshohet se ka lëvizur me shpejtësi të lartë, duke humbur kontrollin e mjetit në vendin e njohur si “Rrethrrotullimi i Plasmasit”.
Automjeti është përplasur me bordurat anësore të rrugës dhe më pas është përmbysur. Përplasja ka qenë fatale, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme 43-vjeçarit. Autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e aksidentit.
Lushnjë/ Informacion paraprak
Rreth orës 01:45, të datës 02.06.2026, punonjësit e sallës operative të Komisariatit të Policisë Lushnjë, nëpërmjet kamerave të sigurisë, kanë konstatuar përpara Komisariatit, një automjet tip “Mercedes-Benz”, duke kryer manovra të çrregullta, dhe më pas drejtuesi i automjetit ka dalë nga automjeti duke bërtitur para Komisariatit, veprim të cilin e ka përsëritur disa herë.
Në këto kushte, salla operative ka njoftuar Patrullën e Përgjithshme që ishte me shërbim në qytet, për t’u afruar në Komisariat, me qëllim verifikimin e drejtuesit të automjetit dhe arsyen e sjelljeve të tij.
Drejtuesi i automjetit, sapo ka parë Patrullën e Përgjithshme që vinte drejt Komisariatit, është larguar me shpejtësi të madhe dhe pas disa minutash dyshohet se për shkak të shpejtësisë së madhe dhe humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit nga ana e drejtuesit, automjeti është përplasur me bordurat anësore të rrugës, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Plasmasit” dhe është përmbysur. Si pasojë, drejtuesi i automjetit, shtetasi E. Xh., 43 vjeç, banues në Tiranë, ka humbur jetën.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.
