Një aksident tragjik me pasojë vdekjen ka ndodhur mesditën e djeshme në rrugën e re drejt Darëzezës, në zonën e Ludenbajt. Një automjet, që dyshohet se lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara, ka humbur kontrollin duke dalë nga rruga dhe ka përfunduar i përmbysur në kanalin anësor. Përplasja ka qenë tepër e fortë, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të drejtuesit të mjetit.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, autoambulanca dhe forcat zjarrfikëse, të cilat kanë punuar për nxjerrjen e trupit nga automjeti, i cili është shkatërruar pothuajse plotësisht nga përplasja.
Në njoftimin e policisë bëhet me dije pas hetimeve paraprake të ngjarjes se “Në aksin rrugor Fier–Darëzezë, shtetasi G. Ç., 37 vjeç, duke drejtuar automjetin, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe ka dalë nga rruga. Si pasojë e daljes së automjetit nga rruga, drejtuesi i automjetit, shtetasi G. Ç., ka humbur jetën në vendngjarje. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit si dhe kohën e ndodhjes se ngjarjes”.
Sipas të dhënave paraprake, shkak dyshohet të ketë qenë shpejtësia e lartë, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që çuan në këtë aksident fatal.
Ky është një tjetër aksident i rëndë i regjistruar në këtë aks rrugor gjatë ditëve të fundit, duke rikthyer shqetësimin për sigurinë rrugore dhe respektimin e rregullave të qarkullimit.
