Tirana ka mirëpritur konferencën rajonale që bashkon vendet e Ballkanit Perëndimor rreth një vizioni të përbashkët: transformimin digjital, sigurinë juridike të pronës dhe integrimin europian.

I pranishëm në këtë takim ishte dhe Kryeministri Edi Rama, i cili në fjalën e tij u ndal te hapja e grupkapitujve për anëtarësimin në BE dhe futja në fazën e mbylljes së negociatave.

“Së pari, dua të them se kjo konferencë e rëndësishme lidhur me një temë shumë të ndjeshme për të gjithë, sidomdos për ne në Shqipëri, përkon me një moment shumë të rëndësishëm që ka të bëjë me fundin e fazës së parë të negociatave të Shqipërisë me BE-në dhe fillimin e një faze të re. Kemi hapur të gjitha kapitujt dhe tani me piketat e ndërmjetme të përcaktuara, i futemi fazës së mbylljes së negociatave. Plotësimi i piketave të ndërmjetme nga Shqipëria dhe përcaktimi i piketave përmbyllëse është një element shumë thelbësor sa i përket grupkapitujve.

Në procesin e Shqipërisë për integrimin europian, është një element përcaktues, sa i përket ritmit dhe shpejtësisë së progresit. Për vende si i joni, teknologjia e re na ka sjellë bekim të vërtetë, sepse na ka lejuar të bëjmë ‘hope’ dhe na ka lejuar ta shohim të ardhmen në mënyrë krejt tjetër. Duam të përfitojmë sa më shumë të jetë e mundur sa i përket çështjes së ndërlikuar të pronave në Shqipëri. Nuk besoj se ka vend tjetër në këtë rajon tonin ku të drejtat e pronës kanë qenë kaq nën trysni. Gjatë 35 viteve të fundit na është dashur të trajtojmë një material kaq kompleks sa që është realisht një nga vështirësitë më të ndërlikuara që jemi përballur. Kalimi nga një vend me pronë tërësisht shtetërore, ku prona private nuk lejohej, ku nuk lejohej asnjë automjet privat, kaluam në një situatë ku shteti humbi kontrollin dhe u përballë me një dhunë”, tha ndër të tjera Rama.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds