Kryeministri Edi Rama mbajti një konferencë për shtyp në Korenë e Jugut, ku ndodhet në një vizitë disa ditore. Ai sot ishte në një takim edhe me homologun e tij, Kim Minseok.
“Ndihem personalisht, thellësisht i privilegjuar që ndodhem këtu në Seul. Herën e parë kam ardhur në këtë qytet kinematografik më shumë se dy dekada më parë si kryetar i bashkisë së Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë. Unë vetë vija nga një qytet që kish humbur e qe vënë në kërkim të vetes, në një vend që sapo dilte nga një botë e fashitur në rrekje shpesh të rrëmujshme për të përfytyruar një tjetër.
Ajo çfarë pashë atë kohë ishte tashmë e jashtëzakonshme, por ajo çfarë shoh sot që kthehem pas gjithë këtyre viteve është diçka thellësisht prekëse.
Koreja është dëshmi se historia ka rëndësi, por e vetme, historia nuk e vendos dot fatin.
Ndoshta, nuk ka asnjë vend tjetër, ku kjo e vërtetë ilustrohet në mënyrë kaq mahnitëse sa në këtë në këtë gadishull.
I njëjti popull, e njëjta kulturë, po ajo histori, e megjithatë ndarë nga sisteme rrënjësisht të ndryshme. E këto janë dëshmia më e kthjellët në tokë se fatet e kombeve nuk marrin formë thjesht nga aty ku zënë fill, por nga zgjedhjet që bëjmë gjatë rrugës.
Një Kore u shndërrua në simbolin e ripërtëritjes përmes hapjes, demokracisë së qëndrueshme dhe novacionit. Tjetra u kthye në emblemë të territ përmes izolimit, sundimit të forcës dhe frikës.
Ky për mua s’ka qenë kurrë veç një mësim abstrakt, sepse përgjatë një kapitulli të dhimbshëm të historisë së saj, Shqipëria ishte “Koreja e Veriut të Europës” e megjithatë sot ajo po ecën në një tjetër rrugë. Një rrugë jo e lehtë, e papërsosur natyrisht, por thelbësisht ndryshe. Një rrugë ndërtimi institucionesh, modernizimi demokratik, një rrugë drejt Bashkimit Europian.
Ne, në rrugëtimin tonë po tregojmë se institucionet demokratike mund të ndërtohen edhe kur historia thotë se është e pamundur dhe se një vend dikur kufizuar nga izolimi mund të përkufizohet nga aspirata. Kjo është vetëm një prej arsyeve pse për mua është kaq kuptimplotë të jem këtu në Seul. Edhe pse gjeografikisht larg, vende si imi e ndjejnë kaq afër Korenë e Veriut përmes kujtesës se madhështia nuk ju rezervohet vetëm atyre që lindin me fat.
Mund t’ju përkasë edhe atyre që guxojnë të rindërtojnë, që zgjedhin hapjen në vend të frikës, vendosmërinë në vend të dorëzimit dhe optimizmin në vend të fatalizmit.
Ndërkohë që, ne mbylleshim pas mureve tona e këndonim këngë revolucionare të magjepsur nga revolucioni kulturor i Kinës dhe bënim luftëra imagjinare kundër amerikanëve e sovjetikëve, në këtë kontinent diçka krejt tjetër shpalosej, që as mund ta shihnim e as na lejohej ta dinim.
Japonia po rindërtonte veten për të marrë formën e një mrekullie industriale, Koreja e Veriut po shndërronte varfërinë në precizion inxhinierik. Singapori po vërtetonte se një qytet pa asnjë burim natyror mund të shkëlqente mbi ato kombe të bekuara me çdo avantazh të mundshëm. Tajvani, Malajzia, Tajlanda, secili prej tyre shkruante kapitullin e vetë me kushtet e veta e me zërin e tij.
Shqipëria i ndau rrugët me Kinën pikërisht kur Xiaoping nisi të shpërbënte atë ortodoksi ideologjike vetëm me një fjali që asokohe na tingëlloi si heretike: “Nuk ka rëndësi se ç’ngjyrë është macja për aq kohë sa kap minj”. Shqipëria i mbeti besnike doktrinës. Kina zgjodhi pragmatizmin dhe historia eci me Kinën.
Ndoshta gjëja më e jashtëzakonshme nga të gjitha, është se këto vende pavarësisht dallimeve të jashtëzakonshme në kulturë, në sisteme, histori e tradita politike gjetën rrugën të ndërtojnë diçka së bashku.
Organizata e vendeve të Azisë Juglindore nuk lindi nga njëshmëria, lindi nga kuptimi se bashkëpunimi është më i fuqishëm sesa përballja dhe se në fund të fundit, pragmatizmi sfidon ideologjinë.
Edhe Kina më vonë gjeti vendin e saj në këtë bashkëbisedim, jo më si eksportuese e revolucionit të përhershëm, por si pjesë e arkitekturës origjinale, të aftë për të përthithur kompleksitetin pa rënë nën peshën e tij e as duke jetuar në një parashikim konstant të rënies së palës tjetër.
Do doja që e gjithë kjo urti që lidershipi akumuloi në këtë pjesë të botës, të mund t’i shërbente pjesës sime të botës si një burim përulës, dije për mënyrën se si duhen “lundruar” dallimet, jo si arsye për konflikte, por si fuqi ekuilibri në interes të ndërsjellë të përparimit dhe mirëqenies për çdo shoqëri të përfshirë.
Ka një thënie koreane që e dëgjova dhe që më pëlqeu shumë: “Pas shiut dheu forcohet”. Ka pak vende në botë që e mishërojnë më mirë këtë sesa Koreja. Këtu, vështirësitë nuk e zbutën tokën nën vend, por e bënë më të fortë me vendosmëri kombëtare. E po kështu dhe me krijimtari.
Kam patur privilegjin që të bëhem mik me Minsuk Chu, një prej arkitektëve më të mëdhenj të kohës sonë, vepra e të cilit admirohet jashtë mase dhe që po kështu, po kontribuon edhe për projekte në Shqipëri.
Përmes kësaj miqësie, jam kujtuar se edhe vendet që i ndajnë kontinente, mund të hasen ndonjëherë me sfida çuditërisht të ngjashme.
Si e ruajmë identitetin, ndërkohë që përqafojmë transformimin; si e ndërtojmë të ardhmen pa humbur thellësinë e kujtesës sonë; si i zgjidhim problemet urbane, shoqërore e njerëzore, duke parë rrugët tona të ndryshme, përmes syve të së ardhmes së përbashkët dhe ndonjëherë në mënyrë të pabesueshme një mendje krijuese nga një anë tjetër e botës, mund të vijë e tw hedhw dritë mbi përgjigje për pyetje që mendonin se ishin vetëm tonat.
Me kalimin e viteve, qoftë si kryetar bashkie apo më vonë si kryeministër, kam mësuar se lidershipi ka shumë më pak të bëjë me sigurinë sa ç’ pretendojmë shpesh.
Rrallë ndodh që të ketë të bëjë me rehatinë e përgjigjeve të qarta.
Shumë shpesh ka të bëjë me të ecurit përpara me dije të papërsosur, duke pranuar dyshimin, duke mësuar në mënyrë të vazhdueshme dhe duke gjetur sërish e sërish kurajën për të vepruar. Sepse lidershipi i vërtetë nuk i përket spektatorit që gjykon me rehati në distancë, apo atyre që preferojnë mosveprimin, kur përballen me një sfidë që i tremb. Ju përket atyre që hyjnë në arenë, jo sepse janë të sigurtë që do të dalin fitimtarë, por sepse guxojnë shumë.
Në botën tonë sot, kur shpesh komentet vijnë më lehtë sesa përgjegjësia, kur kritika udhëton me shpejtësinë e dritës, kur ndërtimet e konstruktet kërkojnë ditë e natë, kur gjysmë të vërtetat, – shpesh gënjeshtrat më të mëdha – të ndjekin në çdo hap që hedh, kuraja për të vazhduar në arenë, për të përballuar, për të ndërtuar, për të ecur përpara pavarësisht zhurmës, ndihet më me peshw kurrë.
Koreja e di këtë. Duke parë të dyja anët e Koresë, më vjen ndërmend një anekdotë e vjetër për dallimin midis ferrit e parajsës: “Në të dyja vendet, njerëzit ulen rreth tryezave të mbushura përplot me ushqim, ndërsa mbajnë shigjeta të gjata, që janë shumë të gjata për ta çuar ushqimin në gojë. Në ferr gjithkush vdes urie, ndërsa dëshpërimisht rreket të ushqejë veten. Në parajsë përdorin të njëjtat shigjeta për të ushqyer njëri-tjetrin’’.
Rrugëtimi i Koresë në shumë mënyra është historia e një kombi që hyri në arenë sërish e sërish dhe aty, ajo çfarë nuk e vrau, e bëri më të fortë sepse zgjodhi, jo thjesht t’i mbijetojë historisë, por t’i jap formë asaj pavarësisht kostos. Ja pse të jesh këtu është një privilegj kaq i madh.
Ndaj, gjendem këtu sot, jo si një njeri që jep leksione, por si dikush që ende po mëson, mëson nga Koreja, mëson nga shembulli i saj.
Është mirënjohës për kujtesën se lidershipi në më të mirën e vetë nuk ka të bëjë me qëndrimin mbi të tjerët, por ka të bëjë me hyrjen në arenë, me modesti mjaftueshëm për të dëgjuar, me kurajë të mjaftueshme për të vepruar e me imagjinatë tw mjaftueshme për të ndërtuar ura atje ku të tjerët shohin vetëm distanca.
Është lajm ende i fundit që ky vend ka tejkaluar Japoninë në Produktin e Brendshëm Bruto për frymë, një arritje që vetëm pak kohë më parë do të tingëllonte si fantazi gati-gati në marrëzi. Dhe ajo çfarë e bën këtë arritje kaq të jashtëzakonshme, është kapaciteti i një vendi për ta shndërruar dhembjen në forcë, urinë në vendosmëri, shkatërrimin në energji dhe traumën historike, një forcë gati të pabesueshme të ambicies kolektive.
E nëse Koreja mundi ta bëjë, atëherë askush nuk ka të drejtë të thotë nuk mund të bëhet, qoftë në nivel kolektiv apo atë individual”, tha Rama.
