Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe ka dalë nga ambientet e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku u paraqit në kuadër të një procesi gjyqësor për akuzën e shpifjes, lidhur me një konflikt të gjatë publik për pronat në zonën e Imshtës, në Lushnje.
Në një deklaratë për mediat, Braçe tha se çështja nuk është vetëm një debat politik apo publik, por sipas tij lidhet me një “fakt penal të verifikuar”, duke lënë në dorë të Prokurorisë vendimin nëse do të nisë ose jo procedim penal.
Ai theksoi se toka nga vija e lumit deri në argjinaturë është pronë shtetërore dhe nuk mund të tjetërsohet apo të privatizohet, duke iu referuar ligjit të vitit 2022 dhe vendimeve të Këshillit të Ministrave që, sipas tij, e përcaktojnë qartë këtë status juridik.
Çështja mes Braçes dhe biznesmenit Anduel Çekrezi vijon prej muajsh, pas deklaratave dhe postimeve publike për një konflikt pronësie në zonën e Lushnjes.
