Kredia konsumatore u rrit me ritme të larta edhe në tremujorin e parë të këtij viti.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për tremujorin e parë 2026 sektori bankar disbursoi rreth 15.3 miliardë lekë kredia të reja konsumatore. Vlera e kredisë së re konsumatore u rrit me 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kredia konsumatore ka arritur njëkohësisht vlerën më të larta historike për këtë periudhë të vitit.

Huadhënia konsumatore është e përqendruar kryesisht në monedhën vendase. Më shumë se 88% e kredisë së re konsumatore të dhënë gjatë këtij viti ka qenë në Lekë.

Në fund të tremujorit 2026, portofoli i kredisë konsumatorë, i shprehur si tepricë, arriti vlerën e 111.2 miliardë lekëve, në rritje me 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja e kredisë konsumatore është e shpërndarë në të gjitha segmentet e saj kryesore. Kredia për mallrat e qëndrueshëm është rritur me 25.7%, kredia për mallra jo të qëndrueshëm me 18.6%, ndërsa overdraftet e përdorura nga individët me 9.7%.

Mallrat e qëndrueshëm në përgjithësi përkufizohen si produkte që kanë një jetëgjatësi më të madhe se tre vjet. Kredia konsumatore për këtë qëllim përfshin kryesisht financimin e blerjes së pajisjeve elektronike, elektroshtëpiake, mobiljeve, automjeteve, etj.

Ndërkohë, kredia për mallra jo të qëndrueshëm klasifikohet ajo që lidhet me qëllime të tjera, që zakonisht i referohen shpenzimeve për shërbime apo mallra të konsumit afatshkurtër.

Ndërkohë që kredia për blerje banesash ka frenuar në tremujorin e parë të këtij viti (15% më pak krahasuar me një vit më parë), kredia konsumatore duket se po vijon për të pestin vit radhazi ciklin e saj rritës.

Edhe për shkak të kufizimeve të vendosura nga Banka e Shqipërisë në kredinë për shtëpi, bankat po vendosin më shumë fokus te huadhënia konsumatore dhe ky treg paraqet konkurrencë në rritje.

Të dhënat e Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues treguan se kërkesa e individëve për kredi konsumatore u raportua më e lartë në tremujorin e parë të vitit 2026, ndërsa kërkesa për kredi për shtëpi pësoi rënie.

Nga ana tjetër, kushtet dhe termat e përgjithshëm për kreditë akorduar individëve u lehtësuan në tremujorin e parë të vitit, vetëm në segmentin e kredive konsumatore, ndërkohë që mbetën të pandryshuar në kreditë për blerjen e banesave.

Lehtësimi i kushteve të kreditimit u shkaktua nga aplikimi i marzheve më të ulëta mbi kreditë normale, nga shtimi i madhësisë së kredisë dhe nga zgjatja e maturitetit në kreditë konsumatorë. Gjithashtu, lehtësimi u ndikua nga konkurrenca e shtuar në sistem bankar./Monitor

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds