Superyjet botërore Madonna, Shakira dhe grupi koreano-jugor, BTS do të jenë artistët kryesorë të shfaqjes së parë muzikore në pushimin e finales së Kupës së Botës 2026.
Lideri i grupit “Coldplay”, Chris Martin, i cili zbuloi listën e artistëve përmes një videoje në rrjetet sociale me personazhe të “Sesame Street” dhe “Muppets”, do të jetë kuratori i këtij spektakli historik.
Finalja e Kupës së Botës është planifikuar të zhvillohet më 19 korrik në “MetLife Stadium” në Nju Xhersi.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i cili publikoi detajet e aktivitetit edhe në Instagram, kishte njoftuar planet për këtë shfaqje që në mars të vitit të kaluar.
Ky organizim mund të bëjë që pushimi i finales të zgjasë më shumë se 15 minutat tradicionale.
Shfaqja do të organizohet në mbështetje të fondit “FIFA Global Citizen Education Fund”, një nismë që synon të mbledhë 100 milionë dollarë për të zgjeruar aksesin në arsim dhe futboll për fëmijët në mbarë botën.
Shfaqjet muzikore në pushimin e ndeshjeve janë bërë një element i rëndësishëm i eventeve sportive në Shtetet e Bashkuara të Amerikës veçanërisht gjatë “Super Bowl”.
Madonna ishte artistja kryesore e spektaklit të “Super Bowl” në vitin 2012, ndërsa Shakira performoi së bashku me Jennifer Lopez në edicionin e vitit 2020.
Vitin e kaluar, FIFA organizoi një shfaqje të ngjashme në pushimin e finales së FIFA Club World Cup në “MetLife Stadium”, ku ”Chelsea F.C.” mposhti ”Paris Saint-Germain F.C.” me rezultatin 3-0.
Kupa e Botës 2026, edicioni më i madh në histori me pjesëmarrjen e 48 kombëtareve, nis më 11 qershor dhe do të organizohet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë.
