Të shtëna me armë zjarri kanë shkaktuar panik mëngjesin e kësaj të premteje, 23 tetor, në periferi të Parisit, ku të paktën një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë kanë mbetur të plagosur, mes tyre edhe një fëmijë 12-vjeçar. Sipas televizionit francez BFMTV, një burrë ka hapur zjarr në rrugë publike në dy zona të departamentit Yvelines, duke qëlluar me breshëri nga brenda një automjeti në drejtim të personave që ndodheshin në rrugë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:30, kur autori ka nisur të qëllojë fillimisht në zonën e Trappes dhe më pas në La Verrière, duke shkaktuar panik mes banorëve. Bilanci paraprak është një viktimë dhe katër të plagosur, përfshirë një fëmijë 12-vjeçar dhe dy burra të moshës 29 dhe 49 vjeç. Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që bilanci të rëndohet, për shkak të gjendjes së personave të plagosur.

Sipas gazetës franceze Le Parisien, autori dyshohet se ka përdorur një armë automatike të tipit STEN, e cila daton nga periudha e Luftës së Dytë Botërore. Pas të shtënave, forcat e policisë kanë nisur kërkimet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Ai është lokalizuar dhe arrestuar pak më vonë në zonën e Coignières. Ndërkohë, në rrjetet sociale janë përhapur paralajmërime për banorët e zonës, të cilëve u është kërkuar të qëndrojnë në banesa për shkak të rrezikut. Një përdorues paralajmëronte për një person që lëvizte me një automjet gri të tipit Renault Clio dhe qëllonte me armë.

Motivet e sulmit mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet franceze kanë mobilizuar forcat e sigurisë dhe strukturat hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Sipas raportimeve, edhe Prokuroria Kombëtare Antiterrorizëm është vënë në dijeni të incidentit, ndërsa hetimet pritet të përcaktojnë nëse bëhet fjalë për një sulm terrorist apo një ngjarje me motive të tjera.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds