Në Fier u zhvillua dëgjesa e radhës e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, me pjesëmarrjen e qytetarëve, pushtetit vendor dhe përfaqësuesve politikë. Në fokus të diskutimeve ishte rishikimi i ndarjes administrative dhe ndikimi i reformës së vitit 2015 në shërbimet për qytetarët.
Eksperti i komisionit, Agron Haxhimali, theksoi rëndësinë e dëgjesave publike dhe nevojën që zëri i qytetarëve të dëgjohet në këtë proces. Ndërkohë Haxhimali e ka konsideruar tepër të rëndësishëm arritjen e një konsensusi politik për të shmangur gabimet e reformës territoriale të 2015- ës.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi nga teatri “Bylis” kërkoi shtimin e numrit të bashkive dhe afrimin e shërbimeve me qytetarët, ndërsa deputetja Brunilda Haxhiu e cilësoi reformën aktuale të dështuar për zonat rurale.
Nga ana tjetër, Ministri Petrit Malaj deklaroi se reforma e re do të forcojë financat vendore dhe do të sjellë më shumë investime.
Ndërkohë, Drejtuesja Politike e Qarkut Fier, Belinda Balluku, u shpreh kundër shkrirjes së gjashtë bashkive ekzistuese në qark.
Deputeti i opozitës Luçiano Boçi deklaroi se variantet e propozuara nga mazhoranca largojnë qytetarët nga shërbimet dhe kërkoi që vendimmarrja të bëhet përmes referendumit qytetar.
