Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka hartuar një projektligj të ri “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, i cili synon përafrimin e plotë të legjislacionit shqiptar me direktivat e Bashkimit Europian për sigurimin e përgjegjësisë ndaj palëve të treta nga mjetet motorike.

Projektligji parashikon ndryshime të rëndësishme në tregun e sigurimeve motorike, ku ndër më kryesoret është rritja e ndjeshme e limiteve të përgjegjësisë që kompanitë e sigurimit do të duhet të mbulojnë në rast aksidenti.

Megjithatë, pjesa më e madhe e këtyre ndryshimeve do të hyjë në fuqi vetëm pas anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Sipas projektligjit, kufiri minimal i përgjegjësisë që do të mbulohet nga kontrata e sigurimit nuk mund të jetë më i ulët se 6,45 milionë euro për çdo aksident, pavarësisht numrit të personave të dëmtuar, ose 1,3 milionë euro për çdo person të dëmtuar.

Këto nivele përfaqësojnë një rritje të konsiderueshme krahasuar me kufijtë aktualë të përcaktuar në ligjin në fuqi.

Aktualisht, limiti i përgjegjësisë është 150 milionë lekë për autobusët dhe kamionët, 200 milionë lekë për mjetet që transportojnë lëndë të rrezikshme dhe 55 milionë lekë për të gjitha mjetet e tjera, ndërsa kufiri për çdo person të dëmtuar është 22 milionë lekë.

Projektligji parashikon që, duke filluar nga viti 2027, të aplikohen rritje graduale të limiteve të përgjegjësisë, me qëllim afrimin progresiv me standardet e Bashkimit Europian. Nivelet e ndërmjetme pritet të përcaktohen pas përfundimit të procesit të konsultimit.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me zgjerimin e mbulimit territorial të sigurimit të detyrueshëm motorik.

Projektligji përcakton se kontrata e sigurimit do të mbulojë të gjithë territorin e Bashkimit Europian mbi bazën e një primi të vetëm, duke garantuar mbulim sipas legjislacionit të shtetit ku ndodh aksidenti, ose sipas legjislacionit të shtetit ku mjeti ka vendqëndrimin e zakonshëm, nëse ky i fundit parashikon mbulim më të lartë.

Ky ndryshim do të bëjë që polica TPL të kryejë njëkohësisht edhe funksionet e Kartonit Jeshil, çka pritet të sjellë rritje të primit të sigurimit të detyrueshëm për mjetet motorike. Edhe kjo masë do të hyjë në fuqi pas anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Projektligji sjell gjithashtu risi në aspektin teknologjik, duke lejuar lidhjen e kontratave të sigurimit përmes sistemeve elektronike.

Sipas projektligjit, kontrata e lidhur elektronikisht do të konsiderohet e vlefshme njësoj si ajo me shkrim, në rast se konsumatori konfirmon se ka kuptuar informacionin dhe ka pranuar kushtet e kontratës. Ky ndryshim pritet të hyjë në fuqi menjëherë pas miratimit të ligjit.

AMF bën të ditur se projektligji synon forcimin e mbrojtjes së konsumatorit dhe krijimin e një kuadri më të qartë e më të zbatueshëm për tregun e sigurimit të detyrueshëm motorik në Shqipëri.

Shoqata e Siguruesve në një takim konsultativ me AMF-në, vlerësoi rëndësinë e procesit konsultues dhe shprehu gatishmërinë për të marrë pjesë aktive në diskutimet mbi projektligjin, duke paraqitur komentet dhe sugjerimet e saj.

Procesi i konsultimit me grupet e interesit do t’i paraprijë konsultimit publik dhe më pas procedurave institucionale për miratimin përfundimtar të projektligjit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *