Një kamion i tonazhit të rëndë ka dalë nga rruga në zonën e njohur si rrethrrotullimi i Grabjanit, në autostradën Rrogozhinë–Lushnjë duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Sipas të dhënave paraprake të Policisë së Shtetit, drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin gjatë lëvizjes, si pasojë e lagështisë në rrugë dhe kushteve të vështira të qarkullimit. Për fat të mirë, ai ka shpëtuar pa lëndime serioze dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Kamioni, i cili transportonte artikuj ushqimorë, ka përfunduar i përmbysur anash rrugës, duke bllokuar përkohësisht një pjesë të qarkullimit në këtë segment të rëndësishëm rrugor. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë dhe shërbimet e emergjencës, ndërsa është dashur ndërhyrja e një autovinçi për të bërë të mundur largimin e mjetit dhe normalizimin e trafikut.
Drejtuesit e mjeteve e cilësojnë këtë rrethrrotullim si një pikë të rrezikshme në këtë aks, veçanërisht për mjetet e rënda me ngarkesa të mëdha, duke kërkuar më shumë masa sigurie për parandalimin e aksidenteve të ngjashme në të ardhmen.
