Zona e Ballagatit dikur e njohur për prodhimin cilësor të qershive, sot po përballet me një realitet krejt ndryshe. Pemët e qershisë janë tharë gradualisht ndër vite, ndërsa fermerët janë detyruar t’i zëvendësojnë ato me kultura më rezistente, si ulliri.

Edhe pse prej disa ditësh ka nisur vjelja e qershive, prodhimi këtë vit është i kufizuar. Sasia e pakët ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në rritjen e çmimit në treg, i cili varion nga 700 deri në 1000 lekë të reja për kilogram.

Fermerët shprehen se kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për të rikthyer prodhimin e qershisë, duke mbjellë fidanë të rinj, madje edhe të importuar nga Greqia. Por sipas tyre, as këto tentativa nuk kanë dhënë rezultat, pasi fidanët nuk janë përshtatur me kushtet klimatike të zonës dhe janë tharë.

Banorët e lidhin këtë situatë kryesisht me ndryshimet klimatike. Dimrat më të butë, pranverat e paqëndrueshme dhe mungesa e reshjeve në periudha kyçe për zhvillimin e pemëve kanë ndikuar ndjeshëm në dobësimin dhe tharjen e qershive.

Në këto kushte rikthimi i kësaj kulture tradicionale në prodhim të qëndrueshëm duket gjithnjë e më e vështirë, ndërsa fermerët po orientohen drejt alternativave më të sigurta për të mbajtur gjallë ekonominë bujqësore të zonës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds